Këngëtari i njohur me emrin e artit si Gjesti mësohet se është lënë në paraburgim për një muaj nga Gjykata Themelore në Prishtinë, në lidhje me incidentin e ndodhur së fundmi ku u raportua se ai ka kanosur zyrat e kompanisë “Onima”.
Në seancën e sotme gjyqësore të mbajtur ndaj tij mësohet se artisti ka shfaqur pendesë, duke pretenduar se veprimet i ka bërë si pasojë e gjenjes së tij shëndetësore.
“Jam në ankth, kam vepruar në gjendje të afektit. I kërkoj falje gjykatës, prokurorit si dhe palës së dëmtuar”, ka deklaruar ai.
Ndërsa mediat vendase raportojnë se mbrojtja e tij, avokati Artan Qerkini, ka kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë për paraburgim me argumentimin se reagimi i Gjestit ishte impulsiv dhe i ndikuar nga situata financiare e vështirë e artistit.
Më tej Qerkini ka shtuar se Gjesti për shkak të prishje së marrëdhënies me produksionin nuk ka pasur aktivitete muzikore së fundmi.
Incidenti mësohet se ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje për një borxh të pashlyer.
Nga ana tjetër dëshmitarët kanë rrëfyer se artisti ka hyrë në zyrat e kompanisë duke dëmtuar kompjuterë e xhama, ndërsa pas pak ai ka nxjerrë armën duke kërcënmuar stafin e produksionit “Onima”.
Kujtojmë se në lidhje me këtë ngjarje ndaj artstit rëndojnë akuzat për kanosje, dëmtim të pasurisë dhe mbajtje pa leje të armës.
Ndaj tij u caktua masa e paraburgimit e cila pritet të zgjasë nga 11 marsi deri më 9 prill 2026.
