Pronarja e një restoranti me dy yje “Michelin” në Korenë e Jugut ka shmangur burgun në një çështje që bëri bujë për shkak të një ëmbëlsire sorbet të zbukuruar me milingona.
Të lidhura
None found
Gjykata e Qarkut Perëndimor të Seulit vendosi më 16 shtator ta dënonte atë me një gjobë prej 11 mijë dollarësh. Autoritetet e identifikuan vetëm si një grua me mbiemrin Kim, ndërsa emri i restorantit nuk u publikua. Shefi i kuzhinës nuk u përball me asnjë akuzë për shkelje.
Sipas CNN, prokurorët kishin kërkuar që pronarja të dënohej me një vit burg dhe të paguante 13.580 dollarë gjobë. Kërkesa e tyre lidhej me një fitim prej 81.470 dollarësh të siguruar gjatë katër viteve të fundit.
Në qendër të çështjes nuk ishte thjesht përfshirja e insekteve në menu, por respektimi i rregullave të posaçme ushqimore në Korenë e Jugut, të cilat përcaktojnë llojet që mund t’u shërbehen konsumatorëve.
Zyra e prokurorit i tha CNN në korrik se, që prej vitit 2021, restoranti kishte përdorur milingona të thara, të importuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Tajlanda.
Sipas pretendimeve të prokurorëve, në 12,200 porcione sorbet ishin servirur afërsisht 49,000 milingona.
Ministria e Sigurisë së Ushqimit dhe Barnave sqaroi se shqetësimi nuk kufizohej vetëm te prania e milingonave në pjatë. Hetuesit, sipas saj, “zbuluan se milingonat e përdorura nga ky restorant përmbanin nivele metalesh të rënda deri në 55 herë më të larta se kufiri maksimal i lejuar për insekte të tjera të ngrënshme”.
Kur shpalli vendimin, gjykatësi theksoi se mund të kishte rrezik për shëndetin, pasi te milingonat e servirura nga restoranti ishin konstatuar metale të rënda mbi nivelet e lejuara.
Në caktimin e masës së dënimit u mor parasysh se sasia e milingonave të përdorura dukej më e ulët nga ajo që kishin përllogaritur prokurorët. Gjykatësi vlerësoi gjithashtu faktin se Kim nuk kishte precedentë të mëparshëm penalë.
Ministria e Sigurisë së Ushqimit dhe Barnave e Koresë së Jugut bëri të ditur se produkti me bazë milingonash importohet nga Tajlanda.
Ligji i vendit për Higjienën e Ushqimit lejon për konsum njerëzor vetëm 10 lloje insektesh, mes tyre karkalecat dhe krimbat e mëndafshit. Për çdo specie tjetër, përfshirë milingonat, nevojitet një miratim i posaçëm nga autoritetet përpara se të shërbehet.
Mediat lokale raportuan se avokatët e restorantit deklaruan se shefi i kuzhinës i kishte shtuar milingonat për t’i dhënë pjatës aciditet. Sipas tyre, ai nuk ishte në dijeni se receta, të cilën e kishte përdorur më parë në SHBA dhe Evropë, ndalohej nga legjislacioni i Koresë së Jugut.
Mbrojtja pohoi gjithashtu se milingonat iu servirën vetëm rreth 60% të klientëve dhe se menuja e tregonte qartësisht praninë e tyre si përbërës të pjatës.
Aktivistë në Korenë e Jugut dhe në vende të tjera kanë mbështetur gjithnjë e më shumë idenë se insektet përbëjnë një burim proteinash po aq të besueshëm sa edhe produktet e tjera me origjinë shtazore.
Sipas këtij argumenti, insektet mund të ndihmojnë në luftën kundër ndryshimeve klimatike, pasi rritja dhe mbledhja e tyre është më e lehtë dhe kërkon më pak burime krahasuar me blegtorinë tradicionale.
