Këngëtarja Parashqevi Simaku ka rrëfyer vetë përvojën e saj gjatë kurimit në spitalin e Nju Jorkut. Pas katër javësh të përkushtimit ndaj rikuperimit, ajo deklaron në një intervistë për Top Channel se rezultatet e analizave kanë qenë shumë pozitive.
“Unë bëra një pushim absolut. Përditë bëja fiskulturë dhe pija ujë, jo raki (qesh). Jam në një gjendje shpirtërore mjaft të mirë. Më dolën shumë mirë të gjitha analizat”, tha ajo.
Parashqevi shprehu mirënjohjen e saj të veçantë për biznesmenin Elton Ilirjani, duke përdorur një fjalim që kujton fjalët e Aristotelit.
“Më vjen ndërmend një thënie madhështore e Aristotelit të famshëm, siç e themi ne në Kavajë troç, ‘Më mirë të kesh një mik, siç kam unë Elton ilirjanin, se sa të kesh një çiflig’. E falënderoj nga zemra personalisht atë dhe nënën e tij”, tha ajo.
Në intervistë, ajo gjithashtu tha se gjatë qëndrimit në spital e ka ndihmuar shumë një vajzë shqiptare, e cila ka luajtur një rol të rëndësishëm në përmirësimin e saj.
“Falënderoj një vajzë shqiptare shumë të talentuar, e cila më bëri si një zonjë grua sot. Shpresoj Zoti na e bën kismet që të vijmë në Tiranë, të bëjmë një natë alla-shqiptarçe”, u shpreh Simaku.