Aktori Rezart Veleshnja, i cili u ndalua nga Policia e Durrësit për mashtrim, ka reaguar duke dhënë versionin e tij si qëndron e vërteta rreth makinës që dyshohet se ai ka marrë një personi, përmes mashtrimit dhe e ka shitur për 2 mijë euro.
Veleshnja pohoi që e ka përdorur makinën, që sipas tij kishte qenë e humbur, por që sot është gjetur pronari i saj.
Ai tha se makinën nuk e ka më, duke u shprehur se “e kam hequr”.
“Ju përshëndesim nga Pogradeci! Ideja është që është një automjet që e kam përdorur unë. Ai automjet kishte humbur, ndërkohë që unë thjesht e kam përdorur. Dhe sot e kësaj dite është gjetur se kush e ka pasur. Kaq! Nuk ka asnjë gjë këtu, jo u arrestua jo… turp! Ishte një automjet që kishte humbur, kaq! E kam përdorur dikur, por unë s’kam lidhje më me atë makinë pasi e kam hequr”,– tha Veleshnja.
Ndërkohë, policia njoftoi pak më parë se “specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës ndaluan shtetasin R. V, banues në Tiranë, pas me anë të mashtrimit, i ka marrë një automjet, shtetasit Y. T., dhe më pas e ka shitur”.