Moderatorja Ori Nebijaj ka reaguar pas publikimit dhe qarkullimit në rrjetet sociale të videove me përmbajtje intime, duke theksuar se problemi nuk qëndron te jeta private e personave të përfshirë, por te cenimi i privatësisë dhe shpërndarja e pamjeve pa miratimin e tyre.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Nebijaj ka kritikuar edhe kureshtjen e madhe të publikut për t’i kërkuar dhe përcjellë këto materiale. Ajo ka kërkuar ndëshkim penal për çdo person që filmom apo shpërndan pamje intime pa pëlqimin e njerëzve që shfaqen në to.
Të lidhura
None found
Në mesazhin e saj, moderatorja e ka cilësuar situatën “Nga skandali në spektakël”, duke thënë se shoqëria shqiptare shfaq një etje të madhe për të parë video intime sa herë ato dalin në internet.
Sipas saj, skandali i vërtetë nuk është fakti që njerëzit kanë një jetë intime, por thyerja e privatësisë së tyre dhe mënyra se si këto pamje kërkohen, priten dhe shpërndahen. Nebijaj e ka cilësuar këtë sjellje si të neveritshme.
Ajo ka ngritur shqetësimin se gra mund të jenë filmuar gjatë momenteve intime pa dëshirën e tyre, ndërsa ka dënuar personat që realizojnë skenarë të tillë. Nebijaj ka kërkuar përgjegjësi të qartë penale si për ata që filmojnë pa pëlqim, ashtu edhe për ata që i shpërndajnë pamjet.
“Ky është abuzim, jo argëtim”, ka shkruar ajo, duke kritikuar interesin dhe histerinë që krijohen në telefona ndërsa videot kalojnë nga një person te tjetri.
Nebijaj ka vënë në dukje se, ndërkohë që shfaqen çështje që ngrenë pikëpyetje për abuzimin me pushtetin, shtetin dhe taksat e qytetarëve, vëmendja publike përqendrohet te historitë rozë dhe pyetjet se me kë lidhej apo kë kishte të dashur një person.
Ajo ka theksuar gjithashtu se barra e turpit rëndon zakonisht mbi gruan. Sipas saj, edhe kur burri është pjesë e së njëjtës histori, gruaja kthehet në titullin kryesor, në objekt gjykimi dhe në shënjestër të komenteve.
Ky qëndrim, sipas Nebijajt, tregon një moral me dy standarde: kur duhet kërkuar llogari, publiku zgjedh të bëhet spektator, ndërsa kur kërkohet respektimi i privatësisë, shndërrohet në gjykatës.
Në fund të reagimit, ajo ka përmendur emrin Adrian Hila dhe ka kërkuar burg për çdo person që ka shpërndarë videot, qoftë si shpërndarës i parë apo i dytë.
