Nga sherri me kolegen, te libri për ish-të dashurin, rrëfehet Enxhi Nasufi: Nuk ka guxim të më shkruajë

Moderatorja e njohur Enxhi Nasufi, ka komentuar për herë të parë largimin e saj nga programi i mëngjesit në “Top Channel”, ku u përfol se kishte edhe një konfrontim fizik me kolegen e saj Neada Muça.

Enxhi Nasufi, ka mohuar se mes dy moderatoreve ka pasur përplasje fizike, por shton se ka pasur vetëm debate mes tyre.

“E vërteta është kjo: në punë ka konflikte, ka debate. Konfrontime fizike? Kurrë! U mërzita në fillim kur lexova këtë gjë, është e shëmtuar. Nuk e doja këtë lloj vëmendjeje”, tha Nasufi.

Ndërsa po ashtu, moderatorja zbuloi se nuk ka kontakte me ish-kolegen e saj dhe arsyeja sipas saj, lidhet me mënyrën se si ajo e koncepton komunikimin mes njerëzve.

“Unë i vlerësoj shumë njerëzit kur ulen me këmbë në tokë, të vijnë përballë e të komunikojnë me transparencë”, tha ajo.

Enxhi Nasufi, pak kohë më parë surprizoi publikun teksa erdhi me një botim letrar, një histori e bashkuar me historinë e saj të fundit të dashurisë, tashmë të përfunduar.

E ftuar në programin e Ermal Peçi “Me prit të dielën”, ajo ndau detaje nga kjo histori, por edhe nga raporti me atë që tashmë është ish-partneri i saj.

“Është historia ime, e përfunduar. Unë e shikoj tani si një mision për njerëzit. Përfundoi si lidhje, e kam shijuar, i mora më të mirën. Jam zhgënjyer po aq sa duhet të zhgënjehesha”, tha Enxhi.

Pyetjes nëse ajo priste një reagim nga ish-partneri i saj, apo nëse ai i ka komunikuar diçka pas botimit, Enxhi iu përgjigj: “Jo, nuk mendoj se e ka atë lloj perceptimi. Duhet guxim ta bësh. Mund ta bënte, mund ta bëjë. Në libër është shkruar çdo gjë me fisnikëri, unë e di çfarë bëj. Kjo është e vërteta ime, e të dyve. Do duhej guxim i madh të reagosh për këtë, kur s’ke guxim të shohësh në sy atë që ke përballë ose veten”.

Aktualisht, Enxhi ende nuk ka nisur një angazhim në televizion, duke qenë e fokusuar më së shumti tek muzika.

Sakaq, ish-i dashuri për të cilin flet këngëtarja është një emër mjaft i njohur në qarqet e biznesit. E teksa ajo i ka dedikuar edhe një libër, djali në fjalë ka nisur një tjetër lidhje, edhe këtë herë me një vajzë të njohur.

 


Shtuar 28.02.2026 11:03