Aktorja koreane Lee Joo-sil ka ndërruar jetë në moshën 81-vjeçare. Aktorja e cila u dallua për rolin e saj në “Squid Game”, pati një karrierë të gjatë në aktrim.
Në serialin e Netflix, Lee Joo-sil luajti Park Mal Soon, nëna e Hwang Jun-ho (Wi Ha-joon) dhe njerka e Front Man (Lee Byung-hun). Aktorja u shfaq në episodet e para të sezonit të dytë, i cili u publikua dhjetorin e kaluar.
Sipas raportimeve, Lee Joo-sil ishte duke luftuar me kancerin në stomak gjatë muajve të fundit. Në të kaluarën kishte marrë pjesë edhe në filmin e suksesshëm “Trein to Busan” (2016), si dhe në serialin dramatik “The Uncanny Counter”.
Mediat koreane raportojnë se ajo u diagnostikua me kancer gjiri në vitin 1993 dhe pavarësisht parashikimeve të tmerrshme të mjekëve, ajo arriti të mbijetojë. Në vitin 2023, ajo deklaroi: “Ne të gjithë bëhemi më të fortë kur përballemi me një krizë. Nëse heq dorë nga gjithçka, bëhesh i pafuqishëm”.
Lee Joo-sil ka lindur në vitin 1944 dhe ka filluar karrierën e saj të aktrimit në vitin 1964. Varrimi i saj do të bëhet më 5 shkurt.