Mariah Carey, një nga artistet më të suksesshme të muzikës moderne me mbi 220 milionë albume të shitura dhe 19 këngë nr. 1 në Billboard Hot 100, ka fituar vetëm 5 çmime Grammy nga 34 nominime.
Nominimi i saj i fundit daton në vitin 2009, çka sipas këngëtares tregon një shpërfillje të qëllimshme nga Akademia e Regjistrimeve.
Në intervista të fundit, Carey është shprehur se “Grammy-t janë të mbivlerësuar”, ndërsa në vitin 2023 theksoi se “ata më mashtruan, luajtën me mua”, duke nënkuptuar se numri i vogël i fitoreve nuk reflekton ndikimin dhe karrierën e saj.
Historia e saj me Grammy-t tregon një pabarazi të dukshme: dy fitore në 1991, një rikthim i madh në 2006 me tre çmime për albumin “The Emancipation of Mimi”, por mungesë vlerësimi të vazhdueshëm më pas. Madje, kur në 2024 mori një çmim nderi nga vetë Akademia, Carey u shpreh me humor: “A është ky një Grammy i vërtetë? Nuk kam parë prej kohësh”.
Megjithëse e anashkaluar nga Grammyt, Carey gëzon një listë të gjatë arritjesh: 10 American Music Awards, 20 Billboard Music Awards dhe një sukses të qëndrueshëm ndër vite, sidomos me hitin festiv “All I Want for Christmas Is You”.
Rasti i saj ka ngritur pyetje më të gjera për mënyrën si institucionet matin arritjet artistike.
Edhe pse mungesa e vlerësimit nga Grammy-t ka lënë gjurmë, trashëgimia e Mariah Carey-t mbetet e padiskutueshme.