Kim Kardashian do të marrë vetëm 1 euro dëmshpërblim nga autorët e grabitjes së vitit 2016, gjatë së cilës ajo u kërcënua me armë në një hotel në Paris dhe iu vodhën bizhuteritë, përfshirë unaza e fejesës me vlerë 4 milionë dollarë.
Të lidhura
None found
Vendimi u dha të martën, pasi Kardashian kishte kërkuar kompensim nga disa prej personave që u dënuan në maj të vitit 2025 për përfshirjen e tyre në ngjarje.
Gjatë dëshmisë, personaliteti televiziv dhe biznesmenja amerikane rrëfeu se kishte besuar se mund të vritej në momentin e sulmit.

Të maskuar dhe të veshur si oficerë policie, grabitësit hynë në hotel dhe i morën Kardashian një numër të madh bizhuterish. Në Francë, ata u quajtën “hajdutët e gjyshit”, për shkak të moshës së tyre.
Grabitja u cilësua asokohe si më e madhja e këtij lloji në Francë gjatë 20 viteve. Pjesa më e madhe e bizhuterive të marra nuk u gjet asnjëherë.
Ndër sendet e vjedhura ishte edhe unaza e fejesës, me vlerë rreth 4 milionë dollarë. Ajo i ishte dhuruar Kardashian nga bashkëshorti i saj i atëhershëm, reperi Kanye West, i njohur tashmë si Ye.
Në të njëjtën çështje kishte ngritur padi edhe recepsionisti i hotelit, i cili kërkoi 500 mijë euro dëmshpërblim. Avokati i tij tha se klientit iu akorduan rreth 110 mijë euro.
Shuma simbolike e dhënë për Kardashian vjen pasi autorët janë përballur tashmë me vendimet gjyqësore për grabitjen e vitit 2016. Ngjarja mori vëmendje të gjerë ndërkombëtare për shkak të profilit të lartë të viktimës dhe vlerës së bizhuterive të vjedhura.
