Aktori i mirënjohur, Agron Llakaj, ishte mëngjesin e kësaj të enjte i ftuar në studion e emisionit “Wake Up”, ku ka folur për rolin e tij në filmin “5 Herë Jo”.
Filmi ka si protagonistë një nga çiftet më të dashura dhe të komentuara, Bora Zemanin dhe Donald Veshajn. Zyrtarisht Premiera Absolute e filmit do të mbahet në Cineplexx më 12 Dhjetor në orën 19:30. Ndërkohë duke filluar nga 13 Dhjetor do të jetë në kinema.
Gjatë intervistës, Llakaj ka folur edhe për mbështetjen e madhe të bashkëshortes së tij, Kostandinës…
“Ne kemi një shprehje: që domatja të rritet, ka nevojë për hurin. Që unë jam ngjitur lart, baza ka qenë Kostandina. Ajo ka rritur fëmijët tanë, sakrifikoi që unë të bëhesha aktor. Nuk jemi çifti i përsosur, kemi pasur dhe zënka. Kemi kaluar stuhi dhe dallgë. I lutem Zotit që ta kem pranë sa më gjatë e të ketë shëndet”, tha aktori i mirënjohur.
Ti je shumë i lidhur me familjen, me fëmijët dhe nipërit e mbesat. A do të doje që ata të ndiqnin rrugën tënde të artit?
“Jam rritur në një familje të madhe, ishim 7 fëmijë. Baza për suksesin është familja. Të ndihesh i rrethuar nga familja, është dhurata më e madhe. Unë nuk u imponoj atyre asgjë. Nëse Zoti ka vendosur që diçka nga unë ta trashëgojë te nipërit dhe mbesat, le të vijë natyrshëm.
Lufta e artistit është që të përsosesh. Është një art që e dashuroj, jetoj me këtë art, jo vetëm ushqehem. Kur kthen kokën mbrapa sheh një punë të jashtëzakonshme. Arti nuk ka moshë. Shoh që tani ka humbur interesi te libri. Nuk është një e ardhme e shëndoshë e një shoqërie të shëndoshë. Humori ka fuqi. E unë mundohem që të kem kontributin tim te kjo”, tha Llakaj.