Katy Perry gjobitet pasi xhiroi një videoklip në një zonë të mbrojtur

Këngëtarja e njohur amerikane Katy Perry po kalon një periudhë të vështirë, si në aspektin personal ashtu edhe në atë profesional.

Pas ndarjes nga aktori Orlando Bloom, e konfirmuar në fillim të muajit të kaluar, vjen një tjetër goditje: autoritetet spanjolle kanë vendosur një gjobë prej 6.000 euro ndaj shtëpisë produksioni që realizoi klipin e këngës ‘Lifetimes’, të artistes, pa leje zyrtare brenda Parkut Natyror të Ses Salines, në ishujt Balearikë.

Zona e mbrojtur, që shtrihet nga jugu i Ibizas deri në veri të Formenterës dhe përfshin gjithashtu zonën detare mes dy ishujve, është e njohur për bukurinë e saj të jashtëzakonshme natyrore dhe për vlerat e larta ekologjike. Ajo përfshin plazhe të famshme, pyje, fusha dhe ekosisteme detare që janë pjesë e trashëgimisë botërore të mbrojtur nga UNESCO.

Autoritetet e Balearit reaguan pas publikimit të klipit dhe hetimeve përkatëse, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së zonave të mbrojtura dhe respektimin e rregullave nga çdo produksion artistik apo komercial.


Shtuar 12.08.2025 23:12