Greta Koçi aktualisht ndodhet në Shqipëri për shkak të koncerteve që ka organizuar për të qenë sa më pranë fansave të saj këtë verë. Këngëtarja prej vitesh jeton mes Shqipërisë dhe Vienës.Mbrëmjen e djeshme, artistja gjeti pak kohë për ndjekësit e saj, të cilëve u dha mundësinë t’i drejtonin pyetje në Instastory. Kurioziteti ishte i madh për jetën private të Koçit e për më tepër, për krijim e një familjeje.
Një ndjekëse e pyeti “Një fëmijë apo dy?” dhe Greta iu përgjigj “Një është pak e dy janë shumë. Sa të ketë shkruar Zoti”, duke nënkuptuar se në të ardhmen e afërt e mendon veten nënë.
“Thonë se ju artistët s’doni familje, fëmijë, veç karrierë! Ç’ka është më mirë?”, e pyeti një tjetër ndjekës. Greta vendosi t’i sqarojë një herë e mirë të gjithë ata që mendojnë në të njëjtën mënyrë, duke shkruar:
“Kush e tha këtë?? Familja është e shenjtë dhe kjo nuk ka të bëjë fare me të qenit artist apo diçka tjetër. Kjo ka të bëjë me moralin, karakterin dhe me të pasurit trutë në vend. Më vjen keq që rinia sot influencohet nga disa personazhe showbizz-i që ashtu zgjedhin ta bëjnë jetën dhe i marrin për shembull. Komplet gabim. Nuk futen të gjithë në një thes! Artistët janë po ashtu njerëz me vlera dhe integritet që duan familjen dhe rregullin”.
Të shumtë janë ata që aludojnë se arsyeja e udhëtimeve të shpeshta të këngëtares në Austri është një partner. Megjithatë, Greta nuk ka folur publikisht për një lidhje romantike.
Pavarësisht kësaj, e pyetur nga ndjekësit se kë do të zgjidhte mes xhelozisë dhe tradhtisë, ajo shkroi shkurt e qartë “Asnjërën”.