Johnny Depp tregoi me detaje në sallën e gjyqit sherrin që pati me Amber Heard në mars të vitit 2015, që përfundoi me prerjen e gishtit të aktorit të famshëm.
58-vjeçari, i cili në atë kohë ndodhej në Australi për xhirimin e filmit “Piratët e Karaibeve”, kujton se ish-gruaja e tij ishte e inatosur për faktin sepse kishte takuar avokatët për një marrëveshje pasmartesore.
“Doja ta qetësoja dhe t’i thoja se nuk ia kisha me të hedhur. Nuk u qetësua dhe situata u përshkallëzua në çmenduri, kaos dhe dhunë. Ishte si e pushtuar.
Unë doja të largohesha nga konflikti, por ajo vazhdonte duke më ofenduar rëndë. Ishim në një shtëpi të madhe në Australi dhe unë jam kyçur në 9 dhoma gjatë asaj dite, sepse sherri vazhdoi gjatë gjithë ditës. Ajo i binte dyerve me grusht, donte konfrontim fizik.
Një moment, kur ishte larguar nga dera, unë dola dhe shkova te bari. Mora një shishe vodka dhe piva disa gota, hera e parë që pija alkool pas shumë vitesh.
Kur më pa, nisi të më bërtiste pse nisa të pija prapë. Kapi shishen e vodkës dhe ma hodhi. Më kaloi shumë pranë kokës. Unë qëndrova i qetë dhe mbusha një gotë tjetër nga një shishe tjetër.
E mori edhe atë shishe dhe ma hodhi mua. Unë u struka pas barit, por shishja më kapi në dorë. Në fillim nuk ndjeva fare dhembje, por si nxehtësi.
Kur pashë dorën, maja e gishtit më kishte ikur dhe unë shikoja vetëm kockën. Aty e humba fare dhe mbaj mend që shkruaja me gjakun e gishtit nëpër mure të gjitha gënjeshtrat që ajo më kishte thënë”, tha Depp.
Johnny Depp ka paditur në gjykatë ish-bashkëshorten e tij për shpifje, pas akuzave të kësaj të fundit për dhunë në familje, duke i kërkuar dëmshpërblim për prishje të imazhit në shumën e 50 milionë dollarëve.