Këngëtarja kanadeze Grimes, ish-partnerja e miliarderit Elon Musk, ka bërë të ditur se ai e ka bllokuar në rrjetin social “X”, veprim të cilin ajo e ka cilësuar si të pakuptimtë dhe qesharak. Deklaratat e saj vijnë në një periudhë kur dyshja vijon përpjekjet për të bashkë-prindëruar tre fëmijët që kanë së bashku, pas një ndarjeje të shoqëruar me tensione të shumta.
Sipas Grimes, ajo nuk e ndiqte më Muskun në këtë platformë, por më vonë zbuloi se ishte ai që e kishte bllokuar. Artistja theksoi se nuk është e interesuar për drama publike dhe se fokusi i saj kryesor mbetet mirëqenia e fëmijëve.
“Unë thjesht po jetoj jetën time. Ai më ndoqi dhe më pas më bllokoi. Nuk kam asnjë arsye ta ndjek më. Prioriteti im i vetëm është bashkë-prindërimi. Kjo situatë është shumë budallallëk”, u shpreh ajo.
Marrëdhënia mes Grimes dhe Elon Musk nisi në vitin 2018 dhe për katër vite ata patën një lidhje të ndërprerë disa herë. Gjatë kësaj periudhe, çifti solli në jetë tre fëmijë: djalin X Æ A-Xii, vajzën Exa Dark Sideræl dhe djalin Techno Mechanicus.
Pas ndarjes, dyshja u përfshi në një betejë ligjore për kujdestarinë e fëmijëve, e cila u zhvillua në gjykatat e Teksasit dhe Kalifornisë. Grimes kishte deklaruar se Musk e kishte penguar të shihte djalin e saj më të vogël, por mosmarrëveshja u zgjidh verën e kaluar, kur palët ranë dakord për kujdestari të përbashkët 50/50
