(FOTO) Pas Noizyt, shpallet në kërkim edhe Stresi/ Policia e Kosovës nxjerr fletë-arrestin

Policia e Kosovës të martën ka shpallur në kërkim edhe reperin tjetër nga Shqipëria, Arkimed Lushaj, i njohur si Stresi, pasi dyshohet në përfshirjen në sherrin e rëndë që ndodhi në një diskotekë në Pejë para pak ditësh.

Për këtë rast në kërkim është shpallur edhe Rigels Rajku, i njohur me nofkën Noizy. Në kërkim është edhe DJ Crax.

Stresi, sipas Policisë dyshohet për “ndihmë” në kryerjen e veprës penale “lëndim i rëndë trupor”.

Noizy e Stresi së bashku me disa të tjerë po dyshohen se rrahën brutalisht dy persona në një diskotekë në Pejë. Noizy e ka mohuar përfshirjen.

“Personi i kërkuar është: Arkimed (Sali) LUSHAJ i lindur me 15.06.1987 nё Bajram Curr- Shqipёri. I pandehuri është i kërkuar për veprën penale: ‘Ndihma’ nё kryerjen e veprës penale ‘Lёndim i rёndё trupor’.

Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të dyshuar në foton e bashkangjitur, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor.

Numrat e telefonit dhe adresat elektronike kontaktuese për të kontaktuar Policinë e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë.


Shtuar 6.08.2024 21:38