Ema Andrea nderohet me çmimin prestigjioz “Premio Adelaide Ristori 2025” në Itali

Aktorja e njohur shqiptare, Ema Andrea, është shpërblyer me çmimin prestigjioz italian “Premio Adelaide Ristori 2025”, për interpretimin e saj të fuqishëm në shfaqjen ndërkombëtare “Negotiating Peace”, një dramë e shkruar nga Jeton Neziraj dhe me regji të Blerta Nezirajt.

Ky bashkëproduksion teatror përfshin artistë dhe trupa nga vende të ndryshme të Evropës, përfshirë Ukrainën, Kosovën, Serbinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Italinë, Çekinë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Norvegjinë, Poloninë dhe Estoninë.

Një vepër që trajton temat e paqes dhe dialogut në një kohë sfiduese për kontinentin, “Negotiating Peace” ka tërhequr vëmendjen e kritikëve për fuqinë artistike dhe mesazhin e saj aktual.

Çmimi “Adelaide Ristori” ndahet çdo vit nga Soroptimist International d’Italia – Club Cividale del Friuli, në kuadër të Festivalit Mittelfest, dhe i dedikohet artistes më të dalluar të edicionit të kaluar të festivalit. Ky çmim mban emrin e një prej ikonave të teatrit evropian të shekullit XIX, Adelaide Ristori, një grua që la gjurmë të thella në historinë e skenës.

Për vitin 2024, juria vlerësoi Ema Andrea për interpretimin e saj të ndjerë dhe të thellë në këtë projekt ndërkombëtar, duke theksuar kontributin e saj në promovimin e teatrit si një mjet për ndërtimin e paqes dhe mirëkuptimit ndërkulturor.

“Për mua, nje vlerësim profesional që vjen nga vendi ku kam ‘shkruajtur’ libertà 30 vjet më parë, e ku kam ndërtuar fije ëndrrash, është një kufi prej uji e toke më i sigurt në rrugën ku paskam ecur e nuk paskam ditur që jam shumë me fat”, është shprehur aktorja Andrea për çmimin.


Shtuar 17.04.2025 17:57