E njohët? Një ndër aktoret më të dashura për publikun shqiptar feston sot 60-vjetorin e lindjes (FOTO LAJM)

Sot është dita e aktores, Zamira Kita, Drejtoresha e Qendrës së Artit dhe Kulturës në Korçë. Zamira feston 60-vjetorin e lindjes.

Ajo është ndër aktoret më të dashura për publikun shqiptar. Zamira është artistja që ka zgjedhur të jetojë në qytetin e saj Korçë, ku prej vitesh zhvillon karrierën e saj, jo vetëm më teatër, por edhe në spektakël si moderatore.

Konsiderohet një nga aktoret që mundohet të mbajë gjallë humorin në qytetin e Korçës. Për Zamira Kitën humori i ditëve të sotme ka një prirje drejt banalitetit e vulgaritetit, ndaj ajo bën të pamundurën për të ruajtur standardin.

Ajo lindi në Korçë më 1 prill 1963, dhe ka mbaruar Akademinë e Arteve të Bukura (sot Universiteti i Arteve) në vitin 1985. Që nga ai vit ka debutuar si aktore pranë teatrit “A.Z. Çajupi”, teatri që sot ajo drejton. Në fillim ka luajtur pranë trupës së estradës dhe më pas duke realizuar role në komedi e dramë. Janë të shumta bashkëpunimet me TVSH-në në koncerte e spektakle, kryesisht ato të Vitit të Ri.

Në vitin 1997 fitoi çmimin “Aktorja më e mirë” në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit të zhvilluar në Tiranë. Ndër rolet e saj do të veçonim “Kohë për t‘u çmendur”, “Vello e bardhë”, “Pamje nga ura”, “Yllka” “Tifozet”, “Njerëz në rrymë”, etj.