Komuna e Drenasit nderoi presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj duke i dedikuar titullin “Qytetar nderi i Komunës së Drenasit”, për kontribut të shquar për Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj.
Pas komunës së Deçanit ky është titulli i dytë që mori i pari i Shqipërisë në Kosovë.
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci derisa ka falënderuar presidentin Begaj për promovimin dhe fuqizimin e shtetit të Kosovës, është shprehur se kontributi i tij edhe gjatë kohës së luftës ishte i madh.
“Ky jetëshkrim i shkurtër i juaji lidhet me epokën më të ndritur të Kosovës dhe popullit të saj. Karriera juaj profesionale dhe ushtarake lidhet me epokën e luftës tonë çlirimtare dhe shtet ndërtimin e Republikës së Kosovës. Ju më së miri e njihni vullnetin e ushtarëve tanë që të shëroheshin sa më parë dhe të ktheheshin në vijat e frontit. Ju vlerësonit guximin e bijve tanë në rrugën për çlirimin e vendit, sepse njohët plagët dhe lotët tanë për më të dashurit tanë që nuk arritën të shohin Kosovën e lirë. Në duart tua shumë pacientë i hapën sytë, i trajtuat të plagosurit tanë, i ofruar shërim, shpresë e besim keni shëruar plagët e ushtarëve tanë baraz me armikun, mesin e tyre isha edhe unë” ka thënë Lladrovci.
Duke folur për ata që dhanë shumë për liri, Lladrovci ka kujtuar edhe ish-krerët e UÇK-së, të cilët mbahen në Hagë.
Në anën tjetër edhe Presidenti Begaj, derisa ka falënderuar për titullin, ka theksuar se historia e Drenasit është histori krenarie, ndërsa ka thënë se qytetarët e saj kanë rol të rëndësishëm për gjithë vendin dhe se ish-krerët e UÇK-së nuk e meritojnë të jenë në Hagë.
“Do doja që të ishin heronjtë e luftës dhe paqes që sot janë në Hagë që uroi të jenë sa më shpejtë afër vendit tyre, kanë dhënë shumëçka për këtë ditë, dhe nuk e meritojnë të jenë atje, nderimi parë shkon për ta…Është padyshim një nga momentet më të veçanta në jetën time. Drenasi është një vend me histori të pasur e zemër të madhe, ka luajtur rol të rëndësishëm në historinë e Kosovës. Kjo tokë ka lindur heronjtë që kanë luftuar me guxim për gjithë shqiptarinë”, tha Begaj.
Begaj ka zhvilluar takim edhe në Qendrën për promovimin e të drejtave të grave në Drenas dhe ka bërë homazhe te varrezat në Gllanasellë.