Çfarë bëri Balenciaga që u detyrua të kërkojë falje publike?

Balenciaga është detyruar të kërkojë falje pubike, pasi fushata e fundit e marketingut është konsideruar “e neveritshme” dhe ka shkaktuar shumë reagime në rrjet. Për ju që nuk i keni parë, reklamat e kompanisë së famshme të modës, paraqisnin dy fëmijë që mbanin çanta prej pellushi, me detaje të sadizmit dhe mazokizmit nga përdorimi i zinxhirave, jelekëve dhe rripave. Ndërkohë në një tjetër foto, që i përkiste po të njejtës fushatë, shfaqej një çantë sipër disa letrave e dokumentave gjyqësore në lidhje me rastet e pornografisë së fëmijëve.

Pasi pati një reagim masiv në rrjet, ku u dënua dhe kritikua kjo zgjedhje e cuditshme dhe shqetësuese e kompanisë, Balenciaga doli me një deklaratë në InstaStory, ku kërkonte falje në lidhje me reklamat që “seksualizonin” fëmijët.

“Ne kërkojmë falje sinqerisht për çdo ofendim që mund të ketë shkaktuar kjo fushatë. Çantat tona nuk duhet të ishin paraqitur me fëmijë në këtë fushatë. Ne e kemi hequr menjëherë nga të gjitha platformat.” -shkruhej në postimin e Instagram-it, ndërsa dy orë pas deklaratës së parë, kompania u detyrua të kërkojë falje sërish, këtë herë për dokumentat që shfaqeshin në lidhje me pornografinë e fëmijëve:

“Ne kërkojmë ndjesë për shfaqjen e dokumenteve shqetësuese në fushatën tonë. E kemi marrë këtë çështje shumë seriozisht dhe po marrim masa ligjore kundër palëve përgjegjëse për krijimin e setit dhe përfshirjen e artikujve të pamiratuar për setin fotografik të fushatës Pranverë 2023.”

Së fundmi Balenciaga është larguar edhe nga rrjeti social Twiiter dhe shumë njerëz mendojnë se e ka bërë pikërisht pasi nuk do donte të përballej me kritimat e kësaj fushate apo të ngjashmeve me të.