As unazë, as dasmë dhe me 3 fëmijë, Florian Binaj rrëfen sekretin me Sadinën që të mos përfundonin të ndarë

Aktori i njohur i humorit, Florjan Binaj, dhe partnerja e tij, Sadina Alla, kanë mirëpritur në jetë fëmijën e tyre të tretë. Florjan Binaj ndau lajmin e ëmbël me ndjekësit në “Instagram”, ku zbuloi edhe emrin e vogëlushes.

“Vjosa lumturoi pa fund sot mamin, babin dhe familjen Binaj! Jetë të gjatë e vogla jonë!”, shkroi aktori. Çifti që kanë rreth 18 vite dashuri kanë edhe dy fëmijë të tjerë, Krena dhe Glauk.

I njohur si sozia i Kryeministrit Edi Rama në “Portokalli”, do të ishte pikërisht shkolla e Liceut Artistik ku ai u diplomua për pikturë, ku do të njihte edhe partneren e tij prej 18 vitesh, Sadina Allën. Vitin e kaluar, Sadina, e cila në vitin 2007 u zgjodh për të përfaqësuar Shqipërinë në “Miss Universe”, bëri një dedikim mjaft të fortë për aktorin e “Portokalli”.

Ish-Missi postoi foto me Florin në “Instagram”, shoqëruar me një urim, ku e quante aktorin “mburojën” e saj dhe theksonte se tek ai ka gjetur qetësinë e ngrohtësinë në momentet e vështira, por edhe ato të bukura. Me këto fjalë, bashkëshortja e tij zbuloi edhe sekretin e jetëgjatësisë së një historie të tillë dashurie në botën e showbizit.

Prindërit e tre fëmijëve tashmë pak kohë më parë rrëfyen publikisht detaje nga jeta e tyre familjare. Po si nisi marrëdhënia e tyre?

“Nisi si çdo histori dashurie. U pëlqyem që në shikimin e parë, madje unë mendoja se na kishin sjellë të dyve në atë shkollë pikërisht për këtë qëllim, që ne të ishim bashkë! Ndodh që krijon në kokë një stereotip të personit që do të kalosh jetën dhe ‘fap’, të del përpara. Besoj ishim të dy me fat që gjetëm njëri tjetrin”, shprehet aktori.

Ndërsa ka vazhduar të tregojë se ai nuk i ka propozuar bashkëshortes duke iu ulur në gjunjë dhe ata nuk kanë bërë një dasmë, pasi vendimi për të kaluar jetën me dikë është më i rëndësishëm se unaza apo gjunjëzimi: “Nuk duhet unaza dhe gjunjëzimi për të kërkuar të kalosh jetën me dikë, duhet thjesht guxim, dëshirë dhe shumë dashuri! A i janë ulur në gjunjë baballarët tanë nënave tona? Kjo është një modë që hyri pas vitit ’90-të. Madje arsyeja pse shumë çifte ndahen është sepse duan më shumë gjestin e gjunjëzimit dhe unazën e shtrenjtë, sesa përgjegjësia që sjell ky vendim!”

Që nga fillimet e lidhjes së tyre e deri më sot, kanë ditur ta mbajnë gjallë dashurinë dhe raportin me njëri-tjetrin dhe prej 18 vjetësh kanë situata të panumërta për të rrëfyer. Duke treguar fillimet e lidhjes, ngacmimet e para në Lice, propozimin në kinema dhe vitet e dashurisë në universitet, Flori dhe Sadina ndanë me publikun për herë të parë në ekran pak kohë më parë, edhe sekretin e martesës së tyre të lumtur, respektin dhe besimin që kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë gjithmonë për njëri-tjetrin.

Tashmë kanë bërë realitet sjelljen në jetë të fëmijës së tyre të tretë, një plan për të cilin folën pak vite me parë. Por, nëse Sadina kishte më shumë dëshirë për t’i dhuruar Krenës një motër, për Florin, as kjo nuk mjaftonte: “E mira do ishte të ishin binjakë”, tha ai me të qeshur duke shtuar se do të donte të ishin edhe katër, pse jo.

Njohja me Sadinën, “Miss Universe Albania 2007”, i ka fillimet në Lice. Flori, në vitin e fundit, ndërsa ajo në të parin: “Sa e pashë, thashë ‘uaaa, po kjo?’. Pastaj, dëgjova një zë të brendshëm që më fliste ‘kjo është’. Kështu u lidhëm dhe sot numërojmë bashkë po aq vite sa ka edhe “Portokallia”, pothuaj kemi nisur në të njëjtën kohë.

ÇFARË MENDONTE SADINA NË ATË KOHË PËR FLORIN?

Ai është i bindur se edhe asaj i fliste një zë i brendshëm, i cili i tregonte se zëri i tij ishte i bindur që “është ajo”, ndaj kështu duhet të ishte edhe për të… Sot, ata ndajnë shumë kohë me fëmijët, edhe pse angazhimin maksimal dhe kryesor e ka Sadina.

Flori tregon se net pa gjumë ka kaluar dhe kalon edhe ai, vetëm se ka fjetur prapë… Fëmijët janë çlodhja e tij më e madhe e çdo dite pas punës, pas shfaqjes. Sa më shumë kohë të kalojë me ta, aq më i frymëzuar ndihet për të bëra gjëra të reja. Por nëse i sheh fëmijët në rrugën e tij, ndoshta është herët për të folur: “Unë kam qejf që Krena t’i provojë të gjitha zhanret, sportet, aktrimin, imitimin, notin, biçikletën… Dua t’i provojmë bashkë sa më shpejt, sepse dua që të shijojë çdo gjë si fëmijë, siç kemi bërë edhe ne dikur, larg tekonologjisë dhe botës virtuale”.

 

 

 

 

Shtuar 23.01.2022 17:51