Artistët shqiptarë, peticion për mbrojtjen e Noizyt

Rigels Rajku, i njohur si Noizy, është arrestuar në Lezhë pas dhunës barbare ndaj një personazhi të Tik Tok disa ditë më parë.

Videot dhe fotot tregojnë se Muhamet Iseni është rrahur barbarisht nga disa persona.

Pas arrestimit të Noizy, në mënyrë skandaloze, disa personazhe që në Shqipëri quhen artistë, kanë dalë në mbrojtje të këtij të fundit.

Dhe kanë nisur një peticion, me të cilin kërkojnë lirimin e tij.

“Të jesh artist dhe njeri publik nuk do të thotë (të jesh) i cenueshëm dhe tabelë qitjeje për kërcënime, shantazhe, fyerje e denigrime të imazhit. Unë jam sot #MeNoizyn, artistin që pasi është kërcënuar, sulmuar e dhunuar verbalisht bashkë me familjen, sot gjendet padrejtësisht nën akuzë nga drejtësia në Kosovë dhe i ndaluar në Shqipëri.

Ne respektojmë institucionet, respektojmë ligjet, por sa të sigurt duhet të ndihemi ne dhe familjet tona kur shohim se drejtësia vepron me disa standarde? Kur shohim se disa personazhe përdorin TikTok-un dhe rrjetet sociale për të na kërcënuar deri edhe me jetë? Më pas, i dalin zot dhunës së tyre verbale e prapë së prapë nuk u hyn gjemb në këmbë? Ndërkohë që Noizy, personazhi publik që e kanë atakuar me sulme nga më të ulëtat ndalohet pa pasur asnjë provë kundër tij?

Sot jam #MeNoizyn për të mbrojtur artistët dhe artin. Jam #MeNoizyn për të mbrojtur njeriun e përkushtuar ndaj pinës dhe vlerave që mbart arti. Jam #MeNoizyn për të mbrojtur veten dhe familjen. Sepse drejtësia duhet të ketë një dhe vetëm një standard”, shkruan Elgit Doda, që shfaqet si këngëtar dhe tekstshkrues.

Postimi i tij është shpërndarë nga shumë artistë, duke filluar nga Çiljeta, Bardhi, Blerim Destani, Ronela Hajati dhe disa të tjerë.


Shtuar 7.08.2024 20:22