Më shumë se 70 artistë dhe muzikantë, që kanë përfaqësuar vendet e tyre në Eurovision ndër vite, kanë nënshkruar një letër të hapur duke kërkuar përjashtimin e Izraelit dhe transmetuesit të tij kombëtar, KAN, nga edicioni i këtij viti i Eurovision Song Contest.
Pjesëmarrja e Izraelit ka qenë temë e debatit që prej vitit të kaluar, për shkak të konfliktit të përshkallëzuar në Lindjen e Mesme. Në letrën drejtuar EBU-së dhe transmetuesve anëtarë të saj, artistët pretendojnë se pjesëmarrja e Izraelit cenon integritetin e festivalit dhe kërkojnë masa të menjëhershme ndaj vendit që, sipas tyre, është përgjegjës për “gjenocid në Gaza dhe për një regjim të gjatë pushtimi ndaj palestinezëve”.
Të lidhura
None found
“Ne nuk e pranojmë këtë standard të dyfishtë ndaj Izraelit… Izraeli duhet të përjashtohet nga Eurovision-i”, thuhet në letrën e firmosur nga 72 artistë.
Polemikat rreth përfshirjes së Izraelit në Eurovision 2024 janë rritur, me kritika ndaj EBU-së për hipokrizi, pasi Rusia u përjashtua në vitin 2022 për shkak të pushtimit të Ukrainës, ndërsa Izraeli është lejuar të garojë, pavarësisht situatës në Gaza.
Edhe vitin e kaluar, pjesëmarrja e Izraelit në konkurs u vu në rrezik kur këngëtares së tij iu kërkua të ndryshonte tekstin e këngës “October Rain”, për shkak të aludimeve ndaj sulmeve të 7 tetorit.
