Sërfing në një oqean informacioni (sepse të dish notin nuk mjafton)

Nga Irena Myzeqari

Sot, njeriu noton në informacion.  I gjendur në një shoqëri digjitale, e cila po rritet dhe zhvillohet nën rrënjët, akoma të forta, të mediumeve tradicionale të komunikimit, ai është dëshmitar i  transformimit të tij nga konsumator pasiv në prodhues informacioni, dhe po kupton se bashkëveprimi  me median është përcaktues i rëndësishëm i mënyrës se si ai frymon në këtë rruzull.

Media në ditët e sotme, jo vetëm që është bërë mjeti legjitimues i dijes, por ka krijuar gjithashtu edhe strukturat konjitive, me anë të cilave ai operon si qenie politike dhe brendëson proceset sociologjike, të cilat është i detyruar t’i përshkrojë. I zënë në rrjetën e koklavitur të rrjetit digjital apo tradicional, ai jeton gati- gati në një botë alla-Orwell-iane dhe pret para ekranit apo telefonit “komandat” se si duhet të hajë, të jetojë, të dashurojë, të komunikojë.

Ndaj, në këtë atmosferë, jo lehtë të lexueshme, lind natyrshëm një pyetje: a ka mbetur më vullnet i lirë për të zgjedhur median apo jemi gjunjëzuar plotësisht para pushtetit të saj, duke pritur “kockat”, me mish e pa mish, që ajo vendos të na servirë?  Ky shkrim kërkon të japë një përgjigje konstruktive ndaj këtij realiteti, duke u përpjekur të gjurmojë mënyrat se si homo sapiensi modern mund të zgjedhë median dhe gazetarinë cilësore, pa u marrë para nga dallget e rrjetit mediatik. Pjesa e parë, i jep lexuesit një panoramë të përgjithshme të problematikave që hasen në mediat tradicionale dhe ato digjitale, për tu ndalur në fund tek një nga zgjedhjet më efektive, siç është Edukimi për Median dhe Informacionin, i cili është i vetmi mjet që mund ta aftësojë njeriun të notojë në këtë oqean të dhënash.

#Dallgët e rrjetit (tradicional)

Për vite me radhë, Shkollat e Mendimit në Studimet e Medias dhe Komunikimit, janë përpjekur të kuptojnë raportin midis individit dhe mediumeve, për të hedhur dritë mbi bazat mbi të cilat legjitimohet kjo marrëdhënie. Teori si ajo e Përdorimeve dhe Shpërblimeve, përpunuar nga Elihu Katz, priren të besojnë se ky raport nuk ndërtohet mbi baza detyruese dhe se njeriu është i lirë të konsumojë median për të përmbushur interesat e tij, qofshin ato për zbavitje apo thjesht për marrje informacioni. Nga ana tjetër, qasja kritike,  përfaqësuar nga Shkolla e Frankfurtit,  ngrihet mbi parimin se nuk ka asgjë  të lirë në mënyrën se  si  ne e ndërtojmë raportin tonë me median, përkundrazi, ajo na imponohet dhe ne jemi të detyruar t’i nënshtrohemi një aparati shtypës, i cili ka si qëllim kryesor manipulimin e masave.

E vërteta është se në kohëra të tilla, ku opinionet kanë më shumë peshë sesa faktet, media dhe gazetaria e mirë duken të kenë mbetur kujtime të një të kaluare të lavdishme, ku nuk vrapohej pas lajmit, por synohej të prodhoheshin materiale ekzemplarë, të cilat përcillnin standarte etike dhe  ofronin argumente të qenësishme mbi çështje që shqetësonin publikun e gjerë. Të përfshirë nga dallgët e post-truth, sot nuk shohim më dokumentarë investigativë, të cilët hedhin dritë mbi afera korruptive apo padrejtësi sociale. Mungojnë analizat e thelluara, të cilat i ofronin publikut profile të goditura të figurave publike apo eksplorim të detajuar të çështjeve sociale. E fundit, po jo më pak e rendësishme, raportimi lokal nuk luan më rolin vital që luante dikur, kur sillte në vemendje dinamikat e komuniteteve të caktuara, duke përqendruar çdo lajm dhe mbulim në qendrat e mëdha urbane e duke i trajtuar rrethinat si oaze “ekzotike”, të cilat bëhen lajm veç kur ndodh ndonjë gjë e ububushme.

Vendin e kësaj gazetarie cilësore, jo vetëm në televizion, por edhe në të gjithë spektrin e mediave tradicionale, e kanë zënë fabrikimi dhe plagjarizmi, sensacioni dhe titujt bombastikë. Të kapur nga interesa të caktuara korporatash apo më keq, interesash politikë, shumica e mediave priren të mbulojnë ngjarjet, duke u bazuar në qendrimet personale të zotëruesve të tyre dhe duke lënë mënjanë fakte thelbësore mbi çështje të interesit publik. Tash nuk e vret më kush mendjen se informacioni është i pasaktë, apo akoma më keq, është prodhuar me synim të bëjë keq, sepse reflektimi  etik nuk është më  proces i natyrshëm i të bërit televizion apo të të botuarit një gazetë.

Sot në mediumet tradicionale gjen shumë skandale, gjen shumë reality show, spektakël masiv për masat, të cilat në këtë vrull informacionesh, kanë shumë pak kohë për të analizuar pjesët e lajmeve apo të të dhënave që marrin andej- këndej. Nën audimatin që vjen nga shikueshmëria apo lexueshmëria, mediat kanë ngritur në piedestal shifrat, sepse ato përkthehen në reklama e për rrjedhojë më shumë të ardhura për pronësinë.

Përballë gjithë kësaj makinerie, individit i jepet shumë pak mundësi zgjedhjeje; kuptohet se të fikësh apo të djegësh mediumin është kollaj, por duke qenë se gjithë çka shoqëria prodhon sot del nga ekrani përballë, vet-izolimi si formë rebelimi nuk tingëllon si  zgjedhje e mençur. Më shumë se i lirë, individi sot është i detyruar të konsumojë çka i ofrohet, sepse në fakt edhe shpresa që lindi me krijimin e rrjetit digjital, në vend që ta shpëtojë, e ka përplasur atë, jo me dallgë, po me tsunam, përmasat e të cilit akoma nuk është gati t’i shohë apo t’i vlerësojë tamam.

#Dallgët e rrjetit (digjital)

66,2% e popullatës  botërore  përdor internetin; 5,04 bilion njerëz kanë një profil një mediat sociale; koha mesatare e  harxhuar online është 6 orë e 40 minuta dhe 96, 5% e përdoruesve e kanë internetin në telefon.

Këtë shkurt Facebook mbushi plot 20 vjeç. Ajo që nisi nga dhoma e një studenti në 2004, sot është kthyer në hapësirën ku ndërtohen dhe mbahen lidhjet sociale, burimi ku merret informacioni,  agora  ku bëhet politika dhe merkatoja ku të gjithë përpiqen të ndërtojnë  brandin personal, i cili u shërbën si bazë dhe u lehtëson ndërveprimin dhe komunikimin me tjetrin. 20 vite më vonë,  Metaverse është kthyer në simbolin e konvergjencës, ku nga një telefon, individi mund të tejkalojë barrierat kohore dhe gjeografike; mjafton një klik dhe i gjithë universi  serviret para tij, i ndarë në nyje rrjetash, të cilat presin të lidhen bashkë, për të marrë kuptim.

Interneti dhe sidomos rrjetet socialet krijuan tek njeriu iluzionin se më në fund ëndrra Faustiane u bë realitet; ai vërtet do të mundej të dinte gjithçka, ai vërtet mund t’i jepte kuptim gjithçkaje. I gënjyer nga liria që të jep ndërveprimi, njeriu besoi se vërtet do të ndryshonte botën me anë të like, share dhe attend. Por, e vërteta rezultoi ndryshe.

Shumë shpejt flladi i lirisë i la vendin mbingopjes nga informacioni intensiv, volum i cili lë pak kohë dhe vend për analizë, duke e bërë individin vulnerabël ndaj përhapjes gjithnjë e në rritje të  fake news dhe dezinformacionit, të cilët nuk kanë pjellë tjetër veçse konfuzion, mungesë besimi dhe polarizim social kudo. Si pasojë, rrjeti sot nuk është më një hapësirë e sigurtë për individin, i cili sheh të ngjashmit e tij, të shfrytëzojnë këto platforma për të përhapur propagandë apo për të iniciuar fushata urrejtjeje, duke sfiduar hapur ata, të cilët duan ta luftojnë radikalizmin dhe të promovojnë siguri dhe qytetari digjitale.

E “verbuar” nga efektet e echo-chamber dhe filter bubbles, audienca nuk e kupton se algoritmi i përdorur nga këto platforma, shpesh  personalizon preferencat dhe sjelljet e përdoruesve, duke bërë që ata të ekspozohen vetëm nga informacione/produkte, të cilat përforcojnë besimet dhe sjelljet e tyre ekzistuese, duke limituar ekspozimin e tyre ndaj pikëpamjeve të ndryshme.  Shpesh herë këto efekte kanë bërë jo pak dëme, duke i shtyrë audiencat të marrin vendime, të cilat jo gjithmonë kanë qenë në të mirën e tyre apo të komuniteteve që ata përfaqësojnë, sepse nuk kanë qenë në gjendje të ballafaqohen apo të bëhen pjesë e dialogut konstruktiv. Si rrjedhojë, audiencat online janë përherë e më pak empatike dhe mirëkuptuese ndaj sfidave dhe perspektivave kulturore të tjetrit, duke minuar  çdo përpjekje për të ndërtuar kohezion social dhe konsoliduar besimin ndaj institucioneve shoqërore.

Lista e habereve jo të mira që vijnë nga bota digjitale është e gjatë. Mungesa e privatësisë dhe përdorimi jo etik i të dhënave tona personale, shtimi i llogarive të rreme dhe trolleve, rritja e sulmeve kibernetike dhe krijimi i një hendeku digjital mbi informacionin cilësor, janë të gjitha problematika me të cilat ndeshet sot njeriu. Edhe pse gëzon lirinë për të qenë krijues në këto platforma, ai vijon, ndonjëherë edhe për inerci, të jetë konsumator pasiv i stilit të jetës që shpaloset në Instagram, i mjekësisë dhe recetave të shëndetit që bëhen virale në Tik-Tok, apo të varet plotësisht nga ChatGPT për të korrur sukses në profesionin e tij.

Përmasat e këtij kaosi rriten po të përllogarisim faktin se mediumet tradicionale po e përdorin internetin dhe rrjetet sociale për të amplifikuar mesazhet e tyre. Vërtet studimet tregojnë se ka një ulje të kohës që harxhohet  në mediat tradicionale, por kjo nuk do të thotë se produktet e tyre nuk arrijnë të konsumatori, përkundrazi, tash me tool-sat e rinj që u mundëson teknokologjia, ato mund të  klikohen me miliona herë dhe ta shumëfishojnë efektin e tyre primar. Siç vërehet, panorama nuk është fort e paqtë, duke na paralajmëruar se nëse nuk do të dimë të përshtasim shpejt forcat tona, do ta gjejmë veten të kontrolluar nga inteligjenca artificiale, kufijtë e të cilës askush nuk mund t’i imagjinojë ku janë.

#Sërfing me anë të Media and Information Literacy

Në botën e kokolepsur që paraqitëm më lart, Edukimi për Median dhe Informacionin, cilësohet  një nga aftësitë kryesore për t’ia dalë mbanë, sepse ajo e fton  individin të analizojë, vlerësojë dhe të angazhohet sa më mirë me mesazhet mediatike. Me anë të EMI-t, individi aftësohet të dallojë faktet nga fiksioni dhe të kuptojë motivet që qëndrojnë pas shpërndarjes së informacionit, duke u mbrojtur nga keqinformimi, manipulimi dhe narrativat subjektive. Edukimi për Median dhe informacionin nxit audiencat të mendojnë në mënyrë kritike, duke shtruar pyetjet e duhura, duke verifikuar burimin e lajmit, si  edhe duke analizuar siç duhet kontekstin ku është prodhuar informacioni.

Të gjitha problemet që u shtruan më lart, mund të marrin zgjidhje vetëm me anë të  EMI-t, sepse ajo vlen njëkohësisht si strategji, po aq edhe si teknikë zhvillimore. Në planin strategjik, Edukimi për Median dhe Informacionin, fton të gjithë aktorët socialë të mendojnë dhe të përpiqen për integrimin e saj në të gjithë nivelet e edukimit, jo vetëm në programet e gazetarisë, por thuajse në secilën nga disiplinat shkencore, duke garantuar në këtë mënyrë, pajisjen e çdo individi, qysh në moshë të herët, me aftësitë e duhura për të njohur dhe konsumuar median tradicionale dhe atë digjitale. Në planin  teknik, EMI, mundëson kombinimin e tij me një gamë të gjerë aftësish të tjera, të cilat e përgatisin individin të navigojë në këtë univers të ndërlidhur komunikativ, duke u bërë qytetar i përgjegjshëm, i cili punon aktivisht për një shoqëri digjitale gjithëpërshirëse dhe etike.

Nëse duam të fuqizojmë publikun për të zgjedhur gazetarinë e mirë dhe për të kërkuar median cilësore, duhet patjetër të mbështesim çdo nismë, e cila synon të shpjerë përpara programet e EMI-t dhe shtrirjen sa më të gjerë të tyre. Workshopet, webinaret, iniciativat e ndryshme që u mësojnë nxënësve, studentëve, profesionistëve si të navigojnë në peizashin online, janë një mundësi e mrekullueshme për të çuar përpara agjendën e EMI-t. Promovimi i mendimit kritik, së bashku me ofrimin e resurseve në bibliotekat e shkollave, universiteteve dhe  atyre të komunitetit, mund t’i bëjë audiencat të kuptojnë më mirë rëndësinë e njohjes dhe përdorimit cilësor të mediumeve, gjë e cila do të promovonte më shumë diversitet, do të mbështeste gazetarinë cilësore si edhe do të krijonte mekanizmat për feedback të vazhdueshëm midis aktorëve socialë.

Në vend të fundit…

Njeriu, në gjendje natyrale, nuk priret gjithmonë nga e mira. Ndaj, çdo përpjekje e tij për të zgjedhur cilësinë dhe vlerën, duhet duartrokitur, sepse është tregues i vullnetit të tij të lirë për tu ngritur mbi veten. Kalimi nga hireoglifet e lashta, tek printi i Gutenbergut e deri tek Metaverse i Zuckerbergut, është prova më sublime e ekzistencës së këtij vullneti, i cili, kombinuar me mendimin kritik dhe Edukimin për Median dhe Informacionin, mund të ndryshojë njëhërë e përgjithmonë fytyrën e epokës ku jetojmë.

Projekti “Media jonė: Njė projekt i shoqėrisė civile pėr tė nxitur edukimin pėr median dhe aktivizmin, kundėr polarizimit, nė dobi tė dialogut” zbatohet nga nėntė organizata pėr zhvillimin e medias nga Ballkani Perėndimor dhe Turqia, me mbėshtetjen financiare tė Bashkimit Europian. Koordinatori i kėtij projekti tre-vjeēar ėshtė Fondacioni Mediacentar Sarajevė. Partnerėt e projektit janė Instituti Shqiptar i Medias nė Tiranė, Bianet nė Stamboll,  Instituti Maqedonas i Medias nė Shkup,  Instituti i Medias i Malit tė Zi nė Podgoricė, Shkolla e Gazetarisė tė Novi Sad,  Instituti i Paqes nė Lubjanė; Kėshilli i Shtypit tė Kosovės nė Prishtinė dhe Rrjeti i Evropės Juglindore pėr Profesionalizimin e Medias (SEENPM).
Ky artikull u realizua me mbėshtetjen financiare tė Bashkimit Europian. Pėrmbajtja e tij ėshtė pėrgjegjėsia e vetme e autorit dhe jo domosdoshmėrisht pasqyron pikėpamjet e Bashkimit Europian.


Shtuar 16.02.2024 14:59