Sa e bukur është Prishtina me Festival

Nga Enkel Demi

Mbrëmja e së enjtes ishte e bukur në Prishtinë, e bukur në Tiranë, e bukur dhe shumë e rëndësishme për shqiptarët kudo që ndodheshin.

Radio Televizioni i Kosovës çeli natën e parë të festivalit të parë të këngës. Kjo është një ngjarje e gëzueshme përsa i përket në radhë të parë muzikës sonë, por me një peshë të dorës së parë në lidhje me zhvillimet politike që çon ujë drejt konsolidimit të shtetit të Dardanisë. Arti, muzika mund të bëjnë atë që nuk e çojnë dot një gisht më tej samitet, bisedimet, diplomacia. Prespektiva që shumë shpejt në Festivalin Evropian të kemi dy këngë shqipe është një realitet i mrekullueshëm, i cili me gjasë ka me ndodh shumë shpejt. Adi Krasta, drejtori i këtij Festivali nuk pati drojë ta përcillte një kumt të tillë prej Pallatit të Rinisë, ku është ngritur skena madhështore, shumë e bukur e festivalit.

E enjtja mbrëma na bëri me dije që Shqipëria ka disa pole arti, të cilat dinë të zhvillohen me gjithë energjinë dhe diversitetin e tyre, pavarësisht Tiranës, e cila në këtë rast, falë zgjedhjes së guximshme e të mençur të Radio Televizionit Publik Shqiptar ka gjetur mënyrën më të bukur të sjelljes në raport me Festivalin e Prishtinës. Kjo sinergji, jep një mesazh përbashkues, ku secili mund të ndjehet rehat e në shtëpinë e tij, kudo në kryeqytetet e Kombit, mjafton të zërë qoshen e tumtarit që i takon.

Në këtë shkrim me dasht mund të bëhesh cingun e të nisësh të rreshtosh vërejtje, cingërima që në kësi rastesh nuk kanë për t’u kursyer prej shtypit rozë, gazetarëve të kulturës apo kritikës së fushës. Kësaj mund t’i shërbejë sjellja në skenë tejet modeste e prezantuesëve. Jo, pa gjasë Adi i mençur drejtoi një grup autoritar prezantuesish, të cilët patën çdo gjë, përveç sjelljes së divit. As Adi, as Besimi apo Edona nuk harruan në asnjë çast të ishin me këmbë në tokë. Autoironia në kufinjtë e cinizmit i bëri ata të na tregojnë një natë vjeshte prishtinase duke mos na hyrë në shtëpi me imponimin autoritar të atyre që zotërojnë skenën, por me modestinë e mysafirit që i bie derës, ani se ajo mund të jetë e hapur.

Dialogu mes Adi Krastës dhe Besim Dinës është një farë shkolle si mund të përcillet një ngjarje e madhe mediatike me duar në xhepa. Dueti i tyre me pyetje retorike në pamjen e parë absurde kam përshtypjen se do të mbetet në historinë e televizionit shqiptar si një dorracak si thuhen gjërat, kur nuk do me i thënë, ose kur nuk të lejojnë t’i thuash.

Kënga shqiptare u shfaq me gjithë të mirat e të këqijat e veta. Shfaqja live ka të vetat, por sipas meje nuk ka asgjë për t’u qarë. Unë për vete ndonjë vërejtje teknike ia vura sinjalit satelitor të RTK-së. Kështu e justifikova Emanuelen e zërit apo ndonjë rrjedhje ngjyrash. Punë për mua, tek e fundit nuk jam profesionist i asnjë nga fushave që përmenda. Florent Boshnjaku rrëfeu se është i zoti, madje shumë i zoti.

Në fund sërish Adi Krasta, i cili është në gjendje të bëjë spektakël edhe kur rrufit kafen, se ia ka fal Zoti këtë aftësi.

Mbrëmja e së enjtes ishte e bukur në Prishtinë, e bukur në Tiranë, e bukur dhe kudo.

*Fotoja ilustruese është marrë nga faqja e Arbër Zaimit

 


Shtuar 27.10.2023 17:58