Kosova dhe Serbia sërish pa marrëveshje! Pas 7 orësh diskutime në Bruksel, Lajçak paraqet propozim kompromisi për çështjen e dinarit

Kosova dhe Serbia as në takimin e fundit që u zhvillua në Bruksel, nuk arritën marrëveshje për çështjen e përdorimit të dinarit të Serbisë në Kosovë. Por BE-ja doli me propozim kompromisi. Ndërmjetësuesi i BE-së Miroslav Lajçak, pas mbi 7 orë bisedimesh u dorëzoi palëve një propozim, për të cilin nuk dha detaje, por shkroi se do të presë takimin e radhës pas marrjes së komenteve konstruktive.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se “propozimi i Lajçakut synon që të përafrojë qëndrimet e palëve sa i përket çështjes së ndihmës financiare nga Serbia për serbët në Kosovë”. Sipas tij, Serbia shfaqi qëndrime shqetësuese.

“Sot për herë të parë, ne kemi parë haptazi, të dokumentuar nga Serbia, se si ata e shohin procesin e krijimit të Asociacionit. Përderisa për bashkësinë ndërkombëtare dhe Kosovën, Asociacioni është nënkuptuar si një mekanizëm që ndihmon komunat me shumicë serbe të koordinojnë ushtrimin e disa veprimeve të tyre, Serbia sot tregoi se e sheh si mekanizëm për legjitimimin e prezencës së strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë”, tha Bislimi.

Banka Qendrore e Kosovës që nga 1 shkurti i këtij viti me anë të një rregulloreje e përcaktoi euron si valutën e vetme për pagesa, duke e ndaluar kështu në mënyrë automatike përdorimin e dinarit të Serbisë. Komuniteti ndërkombëtar i kërkoi Kosovës që ta pezullojë rregulloren, në mënyrë që t’u jepet kohë qytetarëve serbë të përshtaten me praktikën e re. Autoritetet e Prishtinës këmbëngulin se bëhet fjalë për një vendim të pavarur të Bankës Qendrore dhe jo politik.


Shtuar 26.04.2024 11:05

Tags: , , ,