Xhaferi-Kocevski: Efikasiteti i institucioneve për zgjedhje korrekte

Kryeministri Talat Xhaferi, ka takuar Prokurorin Publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Lupço Kocevski. Takimi u realizua me kërkesë të Kryeministrit Xhaferi, në përputhje me kompetencën ligjore të Qeverisë për organizimin e zgjedhjeve  korrekte dhe demokratike, njoftojnë nga shtypi i Qeverisë.

Xhaferi në takim theksoi përcaktimin e qartë të Qeverisë për zbatimin e zgjedhjeve që do të pasqyrojnë vullnetin e vërtetë të qytetarëve. Njëkohësisht, ai theksoi se aktivitetet e Qeverisë zhvillohen sipas kompetencave ligjore, dhe personalisht ai dhe përfaqësuesit e Qeverisë udhëhiqen nga një narrativë për një klimë pozitive në fushatën parazgjedhore.

“Nga ana e prokurorit publik Kocevski, u përshëndet kjo nismë e Kryeministrit Xhaferi, që është në drejtim të koordinimit të aktiviteteve për zbatimin e suksesshëm të zgjedhjeve, me mbështetje të gjitha institucioneve që janë pjesë e këtij procesi dhe shprehu mbështetje të plotë për Kryeministrin në çdo fazë në drejtim të njohjes së indiceve të mundshme dhe parandalimit të veprave eventuale që janë në kundërshtim me zotimet për zbatimin e proceseve zgjedhore të ligjshme dhe korrekte.

Së bashku u konstatua se zgjedhjet e dyfishta në shtet janë të një rëndësie të jashtëzakonshme në kuadër të pritjeve për përparimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimeve evropiane. Dhe në atë drejtim, u theksua roli i të gjitha institucioneve kompetente dhe nevoja për veprim efikas, me qëllim të zbatimit të proceseve zgjedhore korrekte dhe demokratike. U theksua pritshmëria nga të dyja palët, që të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje të shohin pjesën e tyre të përgjegjësisë dhe të kontribuojnë në nxitjen dhe ruajtjen e një atmosfere të konstruktivitetit”, thuhet në njoftim.


Shtuar 28.03.2024 13:47