VLEN ka reaguar sot ndaj deklaratave të BDI-së për mënyrën e zhvillimit të seancave qeveritare, duke i cilësuar pretendimet e saj si trillime dhe të pavërteta.
Të lidhura
None found
“BDI-ja sot paska vendosur të numërojë seancat e Qeverisë, por pikërisht me këtë çështje ka shënuar autogol”, thuhet në reagim.
Sipas VLEN-it, opinioni duhet ta dijë se edhe përfaqësuesit e kësaj force kanë drejtuar seanca të Qeverisë. Megjithatë, meqë BDI-ja këmbëngul që të gjitha përgjegjësitë t’ia ngarkojë Artan Grubit, VLEN thotë se duhet të rikujtohen disa prej “arritjeve” të realizuara prej tij në emër të BDI-së.
Në reagim pranohet se Artan Grubi ka udhëhequr seanca, përfshirë edhe atë gjatë së cilës u miratua vendimi që, sipas VLEN-it, u hapi rrugë kazinove të përhapeshin si kërpudha në çdo mëhallë shqiptare.
VLEN shton se në periudhën kur Grubi mbante postin e “zëvendëskryeministrit të parë”, Aleksandar Onishçenko, i përfshirë në listën e zezë amerikane, fitoi shtetësinë. Në të njëjtën kohë, Daka Davidoviqi, po ashtu pjesë e listës së zezë amerikane, u përfshi deri në fyt në pazaret që lidheshin me Tetovën.
“Pikërisht për këto qëllime i nevojitej BDI-së kjo pozitë”, deklarojnë nga VLEN.
Në fund, VLEN i drejton sërish një pyetje BDI-së, pasi kjo e fundit hapi temën e postit të “zëvendëskryeministrit të parë”: “A do t’i kërkoni Prokurorisë të bëjë të ditur se deri ku ka arritur çështja për të cilën Artan Grubi u vendos në listën e zezë amerikane?”. Nga VLEN thonë se këtë pyetje po e përsërisin prej ditësh./Telegrafi/
