Tre kamionë me një sasi të përgjithshme prej 76,000 litrash ujë të pijshëm do të sigurohen sot për banorët e Gostivarit, ndërsa furnizimet do të shtohen gjatë ditëve të ardhshme në varësi të nevojave. Në rast se situata e kërkon, do të angazhohen edhe autocisterna uji.
Të lidhura
None found
Këtë e bëri të ditur në një konferencë për media në Qeveri drejtori i Shërbimit të Punëve të Përgjithshme dhe të Përbashkëta, Ivica Tomovski. Në Gostivar është shpallur epidemi pas rritjes së ndjeshme të numrit të personave të prekur nga sëmundjet e stomakut.
Sipas Tomovskit, që prej fillimit Qeveria po bashkërendon veprimet në mënyrë të vazhdueshme me të gjitha institucionet përgjegjëse dhe po ndjek nga afër situatën lidhur me furnizimin me ujë në Gostivar.
“Qeveria ka vendosur t’u sigurojë qytetarëve ujë të pijshëm çdo ditë, për sa kohë që masat dhe rekomandimet e institucioneve kompetente janë në fuqi, me qëllim përmbushjen e nevojave themelore të popullsisë”, deklaroi ai.
Shpërndarja e ujit do të kryhet në shtatë pika të qytetit: te “Ujësjellësi”-Gostivar, kopshti “Prolet”, Shkolla e Mesme Ekonomike, NP “Pyjet Kombëtare” – dega “Shar”, ASH EMV – dega pranë garazheve, Spitali i Përgjithshëm i Gostivarit dhe Njësia Territoriale e Zjarrfikësve të Gostivarit.
Nëse lind nevoja, do të përcaktohen edhe pika të tjera shpërndarjeje.
