Një incident është regjistruar pranë fshatit Bansko, në rrethinën e Strumicës, ku një drejtues automjeti, në përpjekje për t’iu shmangur kontrollit policor, ka përplasur një pjesëtar të Fronteksit dhe më pas një traktor.
Të lidhura
None found
Sipas njoftimit të MPB-së, ngjarja ka ndodhur më 13.09.2026, rreth orës 12:30. Nëpunës të Stacionit Policor për Kalim Kufitar dhe Mbikëqyrje Kufitare Novo Sellë, së bashku me policë të Fronteksit, kanë konstatuar një automjet transportues “Ford Transit”, me targa të Strumicës, i cili ishte i ngarkuar me dru dhe drejtohej nga F.I. (33) nga fshati Bansko.
Teksa po tentonin të kryenin kontrollin e drejtuesit dhe automjetit, F.I. ka nisur lëvizjen me mjetin. Fillimisht ai ka goditur një nëpunës policor të Fronteksit nga Polonia, ndërsa më pas është përplasur edhe me një traktor “IMT”, të drejtuar nga Gj.M. (52), po ashtu nga fshati Bansko.
Si pasojë e përplasjes, polici i Fronteksit dhe drejtuesi i “Ford Transit”-it, F.I., kanë pësuar lëndime të rënda trupore. Gjendja e tyre është konfirmuar në Qendrën Mjekësore të Strumicës.
Një ekip hetimor i SPB Strumicë ka kryer këqyrjen në vendin e ngjarjes. Gjatë veprimeve është konstatuar se drejtuesi i traktorit, Gj.M., e kishte drejtuar mjetin pa dhënë provimin e vozitjes, ndërsa F.I. është privuar nga liria.
MPB bëri të ditur se, pas përfundimit dhe dokumentimit të plotë të rastit, do të dorëzohet parashtresa përkatëse.
