Radhë të gjata automjetesh me targa të huaja janë krijuar sot në pikën kufitare të Tabanocit, ku drejtuesit presin të paguajnë gjobat për shkeljet e rregullave të qarkullimit të evidentuara nga sistemi “Safe City”.
Të lidhura
None found
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ka deklaruar së fundmi se asnjë drejtues nuk mund t’i shmanget këtij sistemi kur lëviz në rrugët e Maqedonisë ku janë instaluar kamera për kontrollin e shpejtësisë. Sipas tij, kjo vlen si për automjetet me targa maqedonase, ashtu edhe për ato me targa të huaja.
Toshkovski nënvizoi se ligji do të zbatohet pa përjashtime dhe se çdo person që kryen shkelje gjatë qarkullimit në Maqedoni do të ndëshkohet, pavarësisht shtetit të origjinës.
Kur sistemi “Qyteti i Sigurt” nisi të funksionojë në fillim të këtij viti, autoritetet njoftuan se automjetet me targa të huaja, edhe nëse konstatoheshin në kundërvajtje, nuk do të ndaloheshin në momentin e largimit nga shteti. Në vend të kësaj, drejtuesit do të merrnin një njoftim zyrtar, sipas të cilit nuk do t’u lejohej hyrja e ardhshme në Maqedoni pa shlyer më parë gjobën.
