Driton Sulejmani nga VLEN, zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës, ka kritikuar BDI-në për mungesën e reagimit rreth projektit të parealizuar të kanalizimit në Zajas, për të cilin Bashkimi Europian ka financuar mbi 9 milionë euro.
Të lidhura
None found
Sipas tij, megjithëse mjetet financiare janë ndarë dhe afatet e zbatimit kanë kaluar, qytetarët e zonës ende nuk kanë kanalizim. Sulejmani ka drejtuar akuza ndaj ish-drejtuesve për mungesë të përgjegjësisë.
Ai vlerëson se mosreagimi i tyre i shton dyshimet se ka pasur keqpërdorime edhe me fondet europiane.
“Fakti që heshtin vetëm sa i rrit dyshimet se duart i kanë futur deri në bërryla edhe në Fondet Europiane. Para publikut flasin për integrime dhe standarde europiane, ndërsa kur duhet të sqarojnë çfarë ka ndodhur me më shumë se 9 milionë euro të taksapaguesve europianë, vendosin të mos thonë asgjë. Kështu ka qeverisur BDI-ja për më shumë se dy dekada. Europën e kanë pasur vazhdimisht në gojë, por kur bëhej fjalë për fondet europiane, harronin si vlerat ashtu edhe standardet. Pjesa më e turpshme e këtij skandali është se bëhet fjalë për Zajazin, vendlindjen e Ali Ahmetit. Nëse në këtë mënyrë janë kujdesur për Zajazin, mund të imagjinohet se si janë kujdesur për vendbanimet e tjera të banuara me shqiptarë”, tha Sulejmani.
