Oliver Spasovski, koordinator i Grupit parlamentar të LSDM-së, akuzoi drejtorin e Agjencisë për Mbrojtjen e së Drejtës për Qasje të Lirë në Informacione me Karakter Publik, Petar Gajdov, duke vënë në dyshim besueshmërinë e këtij institucioni.
Të lidhura
None found
Sipas akuzave, Gajdov ka përdorur deklarime të ndryshme për përkatësinë e tij etnike në funksion të avancimit profesional. Kur u punësua në vitin 2020 si ndihmës-drejtues, në një pozicion të rezervuar për kandidat të nacionalitetit shqiptar, ai u deklarua Shqiptar. Ndërsa gjatë kandidimit për postin e drejtorit, paraqiti një deklaratë të noterizuar ku shënohej si maqedonas.
Gjithashtu, janë ngritur dyshime për shkelje ligjore dhe falsifikim dokumentesh në procedurën kundërvajtëse të zhvilluar ndaj Marija Mitevës, zëdhënëse aktuale e Qeverisë dhe ish-zëdhënëse e VMRO-DPMNE-së.
Dyshohet se Komisioni për Kundërvajtje e ka ndërprerë procedurën ndaj Mitevës përmes një vendimi të marrë në rrethana të diskutueshme.
Një nga elementet që vihet në pah është se procesverbali i mbledhjes së Komisionit mban datë më të hershme se njoftimi që Mitevës i është dërguar për të dhënë deklaratën e saj rreth çështjes.
Dyshimet shtohen edhe nga deklaratat me shkrim të anëtarëve të Komisionit, emrat e të cilëve janë shënuar në procesverbal. Ata pretendojnë se nuk kanë qenë pjesë e mbledhjes për të cilën bëhet fjalë.
Akuzat kanë hapur pikëpyetje mbi ligjshmërinë e procedurave në Agjenci, ndërsa është kërkuar që të ketë përgjegjësi për dëmtimin e imazhit të një institucioni që duhet të garantojë transparencën.
