Pas 36 vjetësh pavarësi, pse në disa vende ende mbeten rrugë me emra të periudhës së ish-Jugosllavisë? Këtë çështje e ngriti Halil Snopçe nga ASH në seancën e pyetjeve të deputetëve, duke theksuar se në shumë komuna vazhdojnë të ruhen dhe të lartësohen emra të sistemit jugosllav. Ai iu drejtua kryeministrit me pyetjen nëse po merren masa për riemërtimin e këtyre rrugëve dhe të disa objekteve me rëndësi shoqërore.
Snopçe tha se në qytetin e tij rruga kryesore që lidh qendrën me bulevardin kryesor ende mban emrin APJ (Armata Popullore Jugosllave), ndërsa raste të ngjashme ka edhe shumë. Sipas tij, Qeveria duhet të ketë një strategji ose plan konkret për de-jugosllavizimin e hapësirës publike, si dhe për rishikimin e emërtimeve të rrugëve dhe institucioneve publike që vazhdojnë të mbajnë simbole të trashëguara nga sistemi i mëparshëm jugosllav.
Të lidhura
None found
Kryeministri Mickoski u përgjigj se është i angazhuar që hapësirat publike të emërtohen në përputhje me realitetin e sotëm. Ai tha se nuk është jugonostalgjik dhe nuk ka ndërmend të jetë i tillë, por nënvizoi se si Qeveri janë të përqendruar edhe në probleme të tjera më të rëndësishme, duke shtuar se për këtë çështje do të gjendet zgjidhje.
Mickoski po ashtu bëri të ditur se me partnerët e koalicionit është diskutuar që rrugët pa numër, përkatësisht pa emër, të marrin emra njerëzish, personalitetesh ose ngjarjesh nga e kaluara që pasqyrojnë luftën shumëshekullore të popullit maqedonas dhe të qytetarëve të Maqedonisë për një Maqedoni të pavarur. Ai shtoi se njëkohësisht do të pasqyrohet edhe karakteri multietnik në disa komuna ku ky realitet ekziston.
