Guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Slaveski, ishte pjesë e takimit të Konstituencës së Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore, ku nënvizoi se objektivi kryesor i politikës monetare vazhdon të jetë stabiliteti i çmimeve, edhe në kushtet e sfidave dhe pasigurive që vijojnë të shoqërojnë ekonominë globale.
Ai theksoi gjatë diskutimeve se bankat qendrore duhet të vazhdojnë të veprojnë me kujdes dhe mbi bazën e të dhënave, për të mbrojtur stabilitetin makroekonomik dhe për të rritur besimin ndaj sistemit financiar.
Të lidhura
None found
Në këtë takim u shqyrtuan zhvillimet më të reja të ekonomisë globale, efekti i tensioneve gjeopolitike, lëvizjet në tregjet financiare, si dhe domosdoshmëria për një koordinim më të fortë mes institucioneve financiare ndërkombëtare për t’u përballur me sfidat që priten.
Sipas Slaveskit, edhe pse presionet inflacioniste janë zbutur në krahasim me periudhën e mëparshme, pasiguria në nivel global vijon të mbetet e pranishme, çka kërkon vigjilencë të pandërprerë nga autoritetet monetare.
Takimi i Konstituencës së FMN-së dhe Bankës Botërore shërben si një platformë për bashkërendimin e politikave ekonomike dhe financiare mes vendeve anëtare, si edhe për ndarjen e përvojave lidhur me sfidat aktuale dhe perspektivën e ekonomisë botërore.
