Presidentja e Maqedonisë, Gordana Siljanovska-Davkova, deklaroi se kushtëzimet bullgare në rrugën e integrimit evropian të vendit nuk mund të përkufizohen vetëm si një mosmarrëveshje dypalëshe, por as vetëm si problem i Maqedonisë me Bashkimin Evropian.
Të lidhura
None found
Gjatë një interviste për Sitel, ajo foli për takimin e fundit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, si dhe për mundësinë që BE-ja të luajë rolin e ndërmjetësuesit në dialogun me Bullgarinë.
Duke komentuar thirrjet e ardhura nga Brukseli për vijimin e bisedimeve me Sofjen, Siljanovska-Davkova rikujtoi se më herët ishte ngritur dilema nëse mosmarrëveshja duhej parë si çështje dypalëshe apo si pjesë e marrëdhënieve me Bashkimin Evropian.
Ajo tha se Maqedonia e kishte konsideruar çështjen dypalëshe, pasi as në Planin e veprimit dhe as më herët nuk kishte pasur vërejtje nga shtetet e tjera, ndërsa nuk kishte as kërcënime për veto. Sipas saj, në vend të kësaj, ishte vënë në pah parimi i meritës në procesin e evaluimit. Presidentja shtoi se Bullgaria, nga ana tjetër, këmbëngulte që kjo nuk ishte çështje dypalëshe, por lidhej me Bashkimin Evropian. “Nëse është kështu, atëherë le të negociojmë me Bashkimin Evropian”, u shpreh ajo.
Sipas presidentes, e drejta evropiane ofron mekanizma për raste të tilla. Ajo përmendi nenin 7 të Marrëveshjes për Bashkimin Evropian, i cili mundëson kufizimin e disa të drejtave të një shteti anëtar në rast se konstatohet shkelje serioze e parimeve dhe vlerave të BE-së.
Megjithatë, Siljanovska-Davkova nënvizoi se zgjidhja kërkon dialog dhe përballje të qëndrimeve. Ajo theksoi se procesi nuk mund të etiketohet as si një çështje tërësisht dypalëshe, as si një problem që Maqedonia e ka vetëm me Bashkimin Evropian.
Duke folur për detyrimet e marra dhe qëndrimet e zyrtarëve evropianë, presidentja iu referua të drejtës kushtetuese evropiane dhe dokumenteve bazë të BE-së.
Siljanovska-Davkova deklaroi se, përveçse presidente, është edhe profesoreshë dhe se e njeh mirë të drejtën kushtetuese evropiane. Ajo tha se parimet dhe vlerat e BE-së, për të cilat ka folur edhe presidentja e Bullgarisë, znj. Jotova, përputhen me çështjet që ajo vetë i ka ngritur. Sipas saj, Marrëveshja për BE-në, Marrëveshja e Lisbonës dhe Karta për të drejtat fundamentale përcaktojnë qartë se Bashkimi Evropian duhet të respektojë identitetin kombëtar dhe kulturor, jo vetëm të vendeve anëtare, por të të gjitha kombeve dhe shteteve.
Ajo shtoi se në këto dokumente parashikohet gjithashtu respektimi i strukturave kushtetuese dhe politike të shteteve.
Presidentja vlerësoi se këto parime duhet të zbatohen edhe gjatë procesit të integrimit evropian të Maqedonisë, veçanërisht për çështjet që prekin identitetin kombëtar dhe kulturor.
Sa i përket kërkesës për ndryshime në Kushtetutë, Siljanovska-Davkova tha se nuk mund të japë garanci se ato do të miratohen.
Ajo sqaroi se deputetët nuk e përfaqësojnë atë personalisht, por qytetarët, dhe se, njësoj si në parlamentet e tjera evropiane, votojnë në përputhje me bindjet e tyre.
Presidentja ngriti gjithashtu pyetjen se çfarë do të ndodhë nëse ndryshimet kushtetuese do të rikthehen sërish për shqyrtim, por deputetët nuk arrijnë të sigurojnë shumicën prej dy të tretash dhe shumicën e kërkuar të përfaqësuesve të komuniteteve që nuk përbëjnë shumicën.
