Shoferët privatë në RMV ndjejnë keqardhje dhe kërkojnë falje për bllokadat, por kërkojnë dhe mbështetje

Transportuesit e autobusëve privat përmes rrjeteve sociale u kërkuan falje qytetarëve të Shkupit për pengimin e lëvizjes nëpër qytet, pasi që nga ora gjashtë e mëngjesit sërish protestuan me bllokada në disa pika të rëndësishme të trafikut në kryeqytet, duke kërkuar pagesën e borxhit që kërkojnë nga Qyteti i Shkupit.

“Slloboda Prevoz, në emër të të gjitha transportuesve privatë, u kërkon falje të gjithë qytetarëve të Shkupit të cilët sot dhe deri në zgjidhjen e problemit do të pengohen në lëvizjen e tyre nëpër qytet. Transportuesit privatë kërkojnë mbështetjen e të gjithë qytetarëve për të gjetur një zgjidhje sa më të shpejtë për problemin, thuhet në mesazhin e publikuar në faqen në Fejsbuk të “Slloboda Prevoz”.

Pasi nuk u arrit marrëveshje me autoritetet e qytetit për shlyerjen e borxhit që u ka Qyteti i Shkupit, nga ora gjashtë e mëngjesit të sotëm, kompanitë private protestuan sërish duke bllokuar dy kryqëzimet para QT “Mavrovasja” dhe përballë Kryqit kuq, si dhe ne Bul. “Ilinden” rreth lokacionit të Kuvendit të Qytetit.

Kemal Muriqi nga transportuesi privat “Sloboda prevoz” thotë se bllokadat nuk do të hiqen derisa të ketë përparim për dalje nga gjendja.

Siç kemi paralajmëruar sot autobusët janë të parkuar dhe do të jenë këtu derisa të mos ketë përparim për këtë gjendje, gjegjësisht të na thërrasin në bisedime dhe të biem dakord për dinamikën e pagesës së borxhit të prapambetur, të vazhdojnë pagesat javore që të mund të përfshihemi në linjë me qëllim që mos pësojnë qytetarët”, tha Muriqi.

Nga ana tjetër, qytetarët janë të detyruar të gjejnë alternativa në komunikacion, por për shkak të rritjes së turmës nëpër rrugët dhe bulevardet alternative, në pjesën më të madhe të rrugëve ka një ndalesë, ndërsa një pjesë e qytetarëve kanë zgjedhur të udhëtojnë me biçikleta, skuter, ose në këmbë për në destinacionet e tyre.

Në orën 11:00 është paralajmëruar deklaratë për media nga drejtori i “Sloboda Prevoz” Lenin Jovanovski për zhvillimet e fundit dhe hapat e ardhshëm të transportuesve./ina


Shtuar 5.12.2022 12:35