Ziadin Sela, kryetar i Lidhjes Shqiptare, së bashku me kryetarin e Kuvendit të partisë, Elmi Aziri, zhvilluan sot në Prishtinë një takim me kryeministrin në detyrë të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti.
Të lidhura
None found
Biseda u përqendrua te situata politike në të dyja vendet dhe në rajon, sfidat e përbashkëta, si dhe çështje të tjera me rëndësi kombëtare dhe për qytetarët e dy vendeve.
Gjatë takimit, Sela nënvizoi se krijimi i institucioneve është jetik për vijimin e proceseve të rëndësishme që e presin Kosovën, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në rrugën integruese. Në këtë kuadër, ai përshëndeti dhe nxiti dialogun me opozitën, si dhe pjekurinë politike e shtetformuese të partive politike.
Situata politike në Maqedoninë e Veriut ishte gjithashtu pjesë e diskutimit mes kreut të Lidhjes Shqiptare dhe kryeministrit Kurti. Sela paraqiti shqetësimet lidhur me përpjekjet për të zhvlerësuar edhe ato pak të drejta kolektive që gëzojnë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, përfshirë rastin e Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.
Sela u interesua gjithashtu për ecurinë e projekteve infrastrukturore, mes të cilave rruga Shkup-Bllacë dhe ajo Tetovë-Prizren.
Palët e konsideruan procesin eurointegrues jashtëzakonisht të rëndësishëm për të ardhmen e vendeve tona, duke e përcaktuar atë si rrugën e vetme dhe pa alternativë. Po ashtu, u vlerësua se bashkëpunimi i ndërsjellë do të ndihmojë në lehtësimin dhe përshpejtimin e këtij procesi./INA/
