Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, ka pritur në një takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, Nicole Varnes, ku është ritheksuar partneriteti i fuqishëm strategjik ndërmjet dy vendeve.
Të lidhura
None found
Në qendër të bisedimeve ishin zhvillimet e fundit, ecuria e reformave, konsolidimi i institucioneve demokratike dhe avancimi i objektivave të përbashkëta që u shërbejnë interesave të të dyja palëve.
Vetë Sali u shpreh i kënaqur nga takimi dhe vuri në dukje se u rikonfirmua bashkëpunimi i ngushtë strategjik, teksa u diskutuan mendime mbi procesin e reformave dhe prioritetet e përbashkëta.
Ai nënvizoi përkushtimin e Qeverisë për të thelluar më tej marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, duke i cilësuar ato si një aleat kyç dhe partner të besueshëm.
Bashkëpunimi me ShBA-në mbetet një shtyllë e rëndësishme e politikës sonë të jashtme, theksoi zëvendëskryeministri i parë, duke konfirmuar se do të vijojnë përpjekjet për forcimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik.
