Qeveria maqedonase mohon të ketë marrë ndonjë “propozim francez”! Milloshovski i kërkon Kovaçevskit të dorëzojë dokumentet në Kuvend

Kryetari i komisionit kuvendor për politikë të jashtme, Antonio Miloloshovski, i cili vjen nga radhët e opozitës, përmes një letre e ka ftuar kryeministrin Dimitar Kovaçevski që sot tia dorëzojnë deputetëve dy dokumentet, së sipas Milloshovskit, gjenden në kabinetin qeveritar.

“Protokollin që lidhet me Marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, që është përpiluar dhe harmonizuar me pjesëmarrje të përfaqësuesve qeveritarë Maqedoni-Bullgari. Kornizën negociuese e cila ju është dorëzuar nga kryesimi francez me BE-në dhe në të cilën çështjen dypalëshe janë konfirmuar si pjesë e kushteve për marrje të datës për bisedime”, shkruan Milloshovski.

Me dorëzimin e këtyre dy dokumenteve, Milloshovski zotohet se që nesër do ta mblidhte Komisionin për Politikë të Jashtme, kjo sepse siç shkruan, pasnesër, kur edhe mbahet Këshilli i BE-së, “mund të jetë shumë vonë”. E njëjta letër i është dorëzuar edhe Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, i cili shpejt doli me reagim, duke thënë se asnjë propozim francez nuk ka arritur në Shkup.

“Deri më tani formalisht nuk është marrë propozim francez si zgjidhje e mundshme për bllokadën nga ana e Bullgarisë, sepse së pari marren mendimet nga vendet anëtare të BE-së, me të cilat ne jemi në komunikim të vazhdueshëm; prandaj nuk ka mundësi që ndonjë propozim t’i paraqitet Kuvendit dhe/ose organeve të tij. Protokoll i mundshëm, i cili përmendet si dokument tashmë i gatshëm, ndoshta paraqet procesverbal nga mbajtja e Komisionit Ndërqeveritar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, që është parapatë në Marrëveshjen e Miqësisë së vitit 2017. Deri më tani është mbajtur vetëm një seancë e këtij Komisioni në vitin 2019 dhe ky procesverbal që është i vetmi Protokoll deri më tani, është i qasshëm për opinionin tashmë tri vite. Pra, nuk ka procesverbal të finalizuar për shkak se nuk është mbajtur Seanca e Dytë e Komisionit Ndërqeveritar”, thotë Osmani.

E për dallim nga vendi ynë që ende është në pritje, në Bullgari Komisioni parlamentar për Punë të jashtme nesër pasdite do ta shqyrtojë “propozimin francez”. Është paralajmëruar që në seancë “do të prezantohet edhe qëndrimi i Ministrisë së jashtme bullgare për procesverbalin e takimit të përbashkët në përputhje me nenin 12 të Marrëveshjes me Republikën e Maqedonisë së Veriut nga viti 2017 si dhe një pako dokumentesh të Presidencës me Këshillin e BE-së lidhur me procesin e zgjerimit të BE-së”./tv21