Propozimi për heqjen e vetos bullgare, Pendarovski: Nuk e kemi marrë propozimin francez

Propozimi i Francës për heqjen e vetos ndaj Maqedonisë për fillim të negociatave me BE-në, do t’u dorëzohet të gjitha vendeve anëtare. Kryeministri bullgar, Kiril Petkov paralajmëroi se këtë propozim do t’ia dorëzojë Kuvendit. Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski në konferencën e përbashkët për mediat me kryetarin e Këshillit evropian, Sharl Mishel, tha se bëhet fjalë për negociata mes vendeve anëtare të BE-së që i zhvillojnë mes tyre para Samitit.

“A ka propozim nga Franca, ose nuk ka, kjo është punë e brendshme e BE-së për shkak se nga aspekti i BE-së bëhet fjalë për negociata që i zhvillojnë mes tyre, në funksion të përgatitjes së konkluzioneve për Samitin e 23-të, të cilat Franca, si kryesues gjatë këtyre 6 muajve, ka për obligim t’i dorëzojë për harmonizim te të gjitha vendet anëtare. Do të thotë se, ne në Shkup nuk e kemi parë propozimin e Francës”, tha Stevo Pendarovski, president i RMV-së.

Ministri i jashtëm Bujar Osmani nuk deshi ta komentojë propozimin e Francës derisa i njëjti t’u dorëzohet vendeve anëtare. Kryetari i Këshillit evropian Sharll Mishel nuk foli konkretisht për këtë propozim, por tha se Maqedonia dhe Shqipëria duhet sa më shpejt që është e mundur t’i fillojnë negociatat me BE-në.

“Duam ta zhbllokojmë procesin për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Jam i informuar mirë për vështirësitë me të cilat po ballafaqohet Maqedonia e Veriut muajin e fundit. Nuk jam i sigurt 100% se çfarë do të ndodhë në takimin e Këshillit, por jam 100% i sigurt se do të bëjmë që në këtë takim të ndërmerren hapa vendimtarë në drejtimin e duhur”, theksoi Sharll Mishel, kryetar i Këshillit Evropian.

Jozyrtarisht, mediat bullgare përcjellin se Petkov ka thënë se e njeh në mënyrë të detajuar skemën se si do të zhvillohet e gjithë kjo. Pretendohet të ketë deklaruar se sot propozimi francez zyrtarisht do t’u dërgohet të gjitha vendeve anëtare të BE-së, kurse ai personalisht do ta dërgojë në Parlament. Personalisht pas meje qëndrojnë Emanuel Makron dhe Olaf Sholc. Do ta pranojmë, pastaj biem dhe vazhdojmë më tej, i citojnë jozyrtarisht fjalët e Petkovit mediat bullgare. Ai dje në fillimin e takimit të këshillit ministror e lexoi kërkesën e tij, e cila u pranua menjëherë, dhe e cila parasheh që propozimi i kryesisë franceze menjëherë të dërgohet në Komisionin kuvendor për politikë të jashtme./tv21