Propozimi francez me 11 vota pro u miratua në Komisionin Parlamentar të Punëve të Jashtme dhe së shpejti do të jetë në seancë plenare.
Propozimi i presidentit Makron do t’u paraqitet deputetëve vetëm me një amendament, të propozuar nga deputeti Hristo Ivanov.
“Propozimi ynë është që të përfshihen referenca në konkluzionet e Këshillit, në mënyrë që të kemi një garanci se në kornizën, të cilën Bullgaria do ta votojë drejtpërdrejt, do të kemi mundësinë të kontrollojmë atë që është përmbushur nga Republika e Maqedonisë së Veriut”, tha Hristo Ivanov – President i DB
Partitë që tashmë kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin propozimin francez, thonë se është e panevojshme që Sofja të deklarohet.
“Pas deklaratës së kryeministrit maqedonas, nuk e di pse po i bëjmë këto përpjekje për momentin, sepse ata e kanë thënë qartë se duan përcaktim të qartë të gjuhës maqedonase dhe i refuzojnë çështjet historike”, deklaroi Toshko Jordanov – deputet nga KPT.
“Unë nuk mendoj se duhet të nxitojmë për interesat e shtetit, sepse pala kundërshtare nuk e pranon gjithsesi propozimin francez”, u shpreh Georgi Mihajlov – deputet i BSP-së.
Debati në Komision filloi me dëgjimin e ministres së Jashtme në dorëheqje, Teodora Gençovska. Ajo tha se Protokolli dypalësh ndërmjet dy vendeve devijon nga qëndrimi Kornizë i Bullgarisë, prandaj janë kërkuar garanci nga Bashkimi Evropian.
Duke ndarë detaje, ajo shtoi se Sofja nuk mund ta njohë gjuhën maqedonase, ndaj do të japë deklaratën e saj të njëanshme për gjuhën, sepse në kuadër të negociatave nuk ka standarde shtesë për gjuhën maqedonase, e cila gjithashtu nuk është në përputhje me qëndrimet bullgare.
“Është joreale të pritet që vendi ynë të jetë në gjendje të bindë të gjitha vendet e tjera anëtare të BE-së që të mbështesin qëndrimin tonë. Maqedonia e Veriut parasheh miratimin e kornizës negociuese në Parlamentin e saj dhe për këtë është me rëndësi të madhe që të mos kenë asnjë koment për gjuhën maqedonase, në thonjëza, në kornizën negociuese, për të cilën ka mbështetje nga shumë anëtarë të BE-së”, tha Teodora Gençovska – Ministre e Punëve të Jashtme të Bullgarisë.
Ndryshe seanca e radhës plenare e Kuvendit të Bullgarisë është caktuar për në orën nëntë të mëngjesit, ku pritet të hidhet në votim propozimi francez. Partitë që thanë se do të votojnë “pro” kanë gjithsej 176 deputetë./Alsat.mk