Prokuroria Themelore Publike Shkup e ka ankimuar vendimin e shkallës së parë, me të cilin në rastin “Talir 2”, që ka të bëjë me ndërtimin e selisë së OBRM-PDUKM-së, u dha aktgjykim lirues.
Të lidhura
None found
Sipas njoftimit të Prokurorisë, prokurori përgjegjës, pasi e ka pranuar aktgjykimin e shkallës së parë, ka dorëzuar ankesën brenda afatit të përcaktuar me ligj.
Gjykata Penale, më pak se një muaj më parë, e shpalli të pafajshëm ish-kryeministrin Nikola Gruevski, i akuzuar në “Talir 2” lidhur me ndërtimin e paligjshëm të selisë së OBRM-PDUKM-së. Duke shpjeguar vendimin, gjyqtarja Daniela Aleksovska-Stojanovska deklaroi se aktgjykimi ishte pasojë e ndryshimeve të Kodit Penal të vitit 2023, të cilat, sipas vlerësimit të saj, kishin ndikuar në mënyrë të konsiderueshme te elementet e veprës penale.
Me afatet që janë aktualisht në fuqi, lënda parashkruhet në fund të gushtit. Për këtë arsye, nuk pritet një përfundim tjetër gjyqësor, por konstatimi i parashkrimit. Pavarësisht kësaj, mbetet e hapur mundësia për një procedurë eventuale që do të synonte konfiskimin e objektit të OBRM-PDUKM-së, të njohur si “Pallati i Bardhë”.
Tre vjet më parë, çështja kishte marrë një rrjedhë tjetër: me aktgjykimin dënues të shkallës së parë, Gruevski ishte dënuar me gjashtë vjet burg, Kiril Bozhinovskit i ishte shqiptuar dënim me kusht, ndërsa ishte urdhëruar edhe konfiskimi i pasurisë së partisë. Pas ndryshimeve në Kodin Penal, Gjykata e Apelit e anuloi më vonë atë vendim dhe procesi u rikthye për gjykim nga fillimi.
Në ndërkohë, ndjekja penale kundër Kiril Bozhinovskit u ndërpre për shkak se vepra ishte parashkruar, kurse procedura për Gruevskin dhe partinë politike vijoi.
