Drejtoria e Policisë Financiare ka dorëzuar kallëzime penale në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, si dhe në Prokurorinë Themelore Publike Shkup, kundër pesë personave fizikë dhe dy personave juridikë.
Sipas njoftimit, të kallëzuarit janë B.G. dhe G.F. në cilësinë e inxhinierëve mbikëqyrës, ndërsa E.N., M.G. dhe N.M. si pronarë dhe drejtues të dy subjekteve juridike, bashkë me vetë personat juridikë. Ata ngarkohen për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar” sipas nenit 353 të Kodit Penal të RMV-së, “Falsifikim ose shkatërrim i librave afaristë” sipas nenit 280, “Mashtrim në dëm të mjeteve të Bashkimit Evropian – në tentativë” sipas nenit 249-a dhe “Përdorim i dokumentit me përmbajtje të pavërtetë” sipas nenit 380 të Kodit Penal.
Të lidhura
None found
Policia Financiare thekson se personat e denoncuar, në rolin e inxhinierëve mbikëqyrës, kanë vepruar në kundërshtim me dispozitat ligjore, duke i tejkaluar autorizimet e tyre zyrtare. Ata kanë kryer kontroll teknik të objekteve dhe kanë hartuar raporte përfundimtare me përmbajtje të pavërtetë, në kundërshtim me nenin 33 dhe nenin 90 paragrafi 3 të Ligjit për Ndërtim.
Përmes këtyre veprimeve, personave juridikë u është mundësuar që objekte të papërfunduara t’i regjistrojnë në Agjencinë për Kadastër të Pasurive të Paluajtshme dhe të sigurojnë përfitim pasuror të kundërligjshëm.
Po ashtu, pronarët dhe drejtuesit e personave juridikë, ndonëse kanë qenë në dijeni se objektet nuk kishin përfunduar dhe nuk i plotësonin kushtet ligjore për vënie në përdorim, i kanë përdorur raportet përfundimtare me përmbajtje të pavërtetë si bazë për regjistrimin e tyre në librat publikë të Agjencisë për Kadastër të Pasurive të Paluajtshme.
Sipas kallëzimit, synimi ka qenë të krijohet një paraqitje e rreme se kushtet për përdorim ishin përmbushur, me qëllim që të mundësohej pagesa e mbështetjes financiare të miratuar nga Programi për Zhvillim Rural në kuadër të Instrumentit të Ndihmës së Para-Anëtarësimit të Bashkimit Evropian (IPA 3 – IPARD 2021–2027), duke tentuar të përfitojnë kundërligjshëm gjithsej 50.141.528 denarë.
