Një burrë, mosha e të cilit ende nuk është përcaktuar, u gjet sot i vdekur në anë të autostradës. Dyshohet se ai ishte përplasur nga një automjet, drejtuesi i të cilit u largua menjëherë nga vendi i aksidentit.
Të lidhura
None found
Viktima ndërroi jetë në vendngjarje si pasojë e plagëve të shkaktuara nga përplasja. Policia ka kryer këqyrjen e zonës, ndërsa autoritetet po punojnë për identifikimin e të ndjerit dhe lokalizimin e automjetit bashkë me shoferin e përfshirë në aksident.
Ngjarja u bë e ditur edhe nga ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, gjatë një prononcimi për televizionin Kanal 5.
“Sot kemi një rast të tillë. Një burrë u shtyp dhe u gjet në autostradë, i vdekur në vendin e ngjarjes”, deklaroi Toshkovski.
Hetuesit po përpiqen të zbardhin të gjitha rrethanat e tragjedisë dhe të identifikojnë drejtuesin që u largua pas përplasjes.
Informacione të tjera pritet të bëhen publike pas përfundimit të inspektimit dhe veprimeve hetimore.
