Pendarovski: Pyetja e referendumit, antievropiane

VMRO-DPMNE-ja nuk mund të kërkojë mbështetje për referendumin nga pushteti në këmbim të votimit të ndryshimeve kushtetuese, sepse këto dy çështje janë në kundërshtim me njëra tjetrën. Kështu vlerëson Presidenti Stevo Pendarovski kur komenton paralajmërimin e VMRO-DPMNE-së për të iniciuar referendum.

“Cila është pyetja e opozitës për referendumin? Praktikisht ta ndërpresim rrugën evropiane. Ju nëse i jepni mbështetje një referendumi klasik antievropian me këtë pyetje, nuk ka nevojë më tej ta ndryshoni Kushtetutën. Njëra gjë e përjashton tjetrën. Atë që e prisnim edhe e morëm. Morëm pyetje me të cilën qytetarët e vendit i pyesin: a doni të ndalojmë të ecim drejt BE-së?”, tha Stevo Pendarovski, President.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë se një referendum i tillë do të ishte vetëm në dëm të qytetarëve.

“Atë që e bën tani opozita është vetëm për interesat e brendshme partiake, me gjase, për mbajtjen e pozitës nga kryetari i tyre. Pyetjen e referendumit me siguri do ta dorëzojnë në Kuvend. Në këtë moment, çfarëdo pengimi i procesit të eurointegrimeve të shtetit është dëmtim i qytetarëve dhe shtetit në rrugën eurointegruese. Sa shpejt ne do të kyçemi në BE tani varet kryekëput nga ne sepse kemi detyra të cilat ne duhet t’i zbatojmë tek ne.”, u shpreh Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Të njëjtin qëndrim për referendumin e ka edhe BDI-ja. Aleanca për Shqiptarët nga ana tjetër thotë se kjo është çështje që prek partitë maqedonase por se ata vetë janë për vazhdimin e eurointegrimit./alsat


Shtuar 6.09.2022 16:24