Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka vendosur që të shkojë në zgjedhjet parlamentare me opozitën shqiptare, Lidhjen Evropiane për Ndryshim (LEN). Në këtë koalicion opozitar marrin pjesë Lëvizja Besa, Alternativa, Lëvizja Demokratike dhe përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje, transmeton Albeu.com.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryetari Arben taravari shkruan se “Duke besuar pa lëkundje në bashkëpartiakët e mi dhe në vizionin tonë të përbashkët, kërkoj besimin e tyre që Aleanca për Shqiptarët të futet në garën zgjedhore me opozitën shqiptare, e bashkë më tej të bëjmë më të mirën për këtë vend!”.
Ai theksoi që këtë qëndrim e krijoi pas takimeve me dashamirët, duke vlerësuar që ky koalicion do të sjellë ndryshimin e shumëkërkuar.
“Në cilësinë e kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, ftoj publikisht Kuvendin e partisë të më mbështesë në këtë rrugëtim dhe bashkë, t’i prijmë këtij procesi që unë e quaj Ndryshimi i Madh dhe i Shumëpritur!”, deklaroi Taravari.
Në përkrahje të këtij qëndrimi të Taravarit, kanë dal partitë opozitare.
Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, kryetari i Alternativës, Afrim Gashi dhe kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, kanë përshëndetur vendimin e Arben Taravarit por duket se ky vendin ka shkaktuar përçarje brenda Aleancës për Shqiptarët.
Kryetari i Kuvendit Qendror të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, dhe deputeti i ASH-së, Elmi Aziri kanë reaguar ashpër kundër vendimit të kryetarit, Arben Taravari.
Ziadin Sela në profilin e tij në Facebook është shprehur se nuk është i informuar për ndonjë ofertë të mundshme për koalicion me ndonjë parti tjetër. Ai bëri akuza në drejtim të ”nuk e di kujt”, për siç tha ai kontrabandimin e Partisë nëpërmjet të një statusi në “facebook”.
Më poshtë e keni reagimin e plotë të Selës:
“Si kryetar i kuvendit qëndror të Aleancës për Shqiptarët deri në këtë moment nuk jam i informuar për asnjë ofertë për koalicion me ndonjë parti tjetër politike. Nga takimet që kam zhvilluar se fundmi me kryetarët e degëve dhe strukturat e tjera partiake, poashtu jam informuar se askush prej tyre nuk është në dijeni për ndonjë ofertë me shkrim në bazë të çkahit duhet të vendoset. Individi, në këtë rast kryetari i partisë nuk është organ vendimarrës, ka të drejtë të propozojë në organ që ka të drejtë vendimmarrjeje, e kjo është Kryesia e Partisë, që për momentin e ka një vendim e ky është që Aleanca për Shqiptarët garon e vetme në zgjedhje. Organ tjetër vendimarrës është Kuvendi i Partisë. Tendencat e kontrabandimit të Partisë për llogari të nuk e di kujt nëpërmjet një statusi në “facebook“ është shkelje e rëndë e Stautit të Partisë për të cilën Kryetari i Partisë duhet të mbajë llogari përpara organeve të partisë. Përpjekjet për ta sqaru qëndrimin e shprehur nëpërmjet rrjeteve sociale kryetari i partisë si vendim personal është akt qyqar që dëmton rëndë linjat ideologjike të Aleancës për Shqiptarët”.
Aleanca për Shqiptarët zyrtarisht ende nuk ka vendosur se si do të shkojë në zgjedhje, e vetme apo do të shkojë bashkë me Lidhjen Evropiane për Ndryshim (Lëvizja Besa, Alternativa, Lidhja Demokratike) apo me Bashkimin Demokratik për Integrim. /albeu.com/