Lideri i VMRO – DPMNE-së nëpërmjet një postimi në Facebook njoftoi se ka formuar shumicën e re parlamentare. Në fotografinë e postuar, përpos Mickoskit, shihen edhe përfaqësues të partive ASH, Alternativa, Besa dhe “E majta”, shkruan Portalb.mk.
“Ardhmëria e re vjen, kohë e re dhe shpresë e re. Na presin sfida të fuqishme, të vetëdijshëm dhe falënderues për mbështetjen do të arrijmë së bashku. Maqedonia do të ketë sukses! Kemi shumicë të re parlamentare”, ka shkruar Mickoski në profilin e tij në Facebook.
Ndërkohë, në deklaratë për media të bërë pas mbledhjes, ai tha se presin dorëheqjen e Zoran Zaevit dhe nëse ajo nuk ndodhë, atëherë do të ngritin procedurë me të cilën do të votojmë mosbesim të Qeverisë. I pyetur nëse do të ketë Qeveri të re, apo zgjedhje të shpejta parlamentare siç kërkonte ditëve të fundit, ai tha:
“Të gjithë opsionet janë në lojë. Në atë konferencë unë përmenda se kemi dy opsione. Njëri opsion është të konsolidohet opozita dhe të kemi shumicë që do të votojë mosbesim të Qeverisë nëse Zoran Zaev taktizon me dorëheqjen dhe e opsioni i dytë është të shkojmë në zgjedhje të shpejta parlamentare”, tha Mickoski.
Lideri i Alternativës, Afrim Gashi pas mbledhjes në Kuvend prej e cila rezultoi me shumicë të e parlamentare, deklaroi për TV Sitel se sot ka pasur iniciativë për mbledhje të nënshkrimeve për interpelancë të Qeverisë. Ai nuk deshi të komentojë nëse shumica e re parlamentare do të thotë edhe Qeveri të re apo zgjedhje të reja parlamentare.
“Do të shohim. Ky është proces i parë. Procesi zhvillohet për shkak të interpelancës së Qeverisë. Nëse votohet mosbesim fillojnë afate të tjera dhe atëherë fillon procesi për atë se kush do të jetë mandatar, si Qeveria do të përbëhet. Atëherë do të takohemi përsëri, por është e rëndësishme të dini se, Alternativa nuk do të jetë përsëri në Qeveri e cila do të tërhiqej nga proceset euro – atlantike dhe integrimeve. Vendi ynë duhet të mbetet anëtare e NATO – s, t’i përforcojmë raportet tona, ndërsa integrimet evropiane duhet t’i përshpejtojmë sa më shpejtë të jetë e mundur. Nëse ndonjë parti e cila është pjesë e Qeverisë kushtëzon me atë ne nuk do të jemi pjesë e një qeverie të tillë”, tha Gashi.
Ndërkaq, Arben Taravara ka shkruar në Facebook se ky është “Fillim i fundit të BDIzmit!”.
Kujtojmë se vendi u fut në krizë politike, pasi lideri i LSDM-së dhe kryeministri, Zoran Zaev më 31 tetor, paralajëmroi dorëheqje nga dy këto pozita, pas disfatës që partia e tij pësoi në zgjedhjet lokale. Megjithatë, Zaev tha se nuk është e nevojshme të shkohet në zgjedhje të parakohshme, pasi shumica parlamentare është stabile.
Edhe partnerët e koalicionit deri dje, deklaronin se shumica parlamentare është stabile. Megjithatë, Lëvijza Besa nga mbrëmë ndryshoi qëndrim, pas vendimi që të përsëriten zgjedhjet në njërin prej vendvotimeve në Komunën e Zhelinës, ku ka fituar kandidati i Lëvizjes Besa, është bërë shkak që kjo parti të shqyrtojë qëndrimin e saj në Qeveri.
Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie sot përmes një konference për media, tha se po shqyrtojnë daljen nga Qeveria.