Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave ka informuar opinionin se, në pajtim me udhëzimet e Qeverisë dhe kërkesat e shfrytëzuesve të pyjeve – NP „Pyjet Nacionale“ dhe Parqet Nacionale që administrojnë zonat e mbrojtura, është dhënë pëlqim për vendosjen e ndalimit të plotë të lëvizjes në pyje dhe në tokat pyjore.
Sipas Ministrisë, ky pëlqim është miratuar në bazë të nenit 57, paragrafi 3 të Ligjit për Pyjet, për shkak të rritjes së rrezikut dhe me qëllim parandalimin e zjarreve pyjore në hapësira të hapura.
Të lidhura
None found
Ndalimi i plotë i lëvizjes në pyje do të nisë më 1 korrik 2026 dhe do të mbetet në fuqi deri më 31 gusht 2026. Gjatë kësaj periudhe, hyrja dhe lëvizja në pyje do të lejohet vetëm me leje me shkrim, të lëshuar nga njësitë rajonale të NP „Pyjet Nacionale“ dhe nga Parqet Nacionale, përkatësisht për territoret që ato menaxhojnë.
Ministria thekson se për shkeljen e kësaj ndalese të plotë në pyje dhe në tokat pyjore, personat fizikë që kapen duke lëvizur në këto zona, në përputhje me nenin 106 të Ligjit për Pyjet, do të ndëshkohen me gjobë nga 1.500 deri në 2.000 euro në kundërvlerë në denarë.
