“Na pret dimër i vështirë në energjetikë”, Bekteshi: Do të shpallim gjendje krize për të ndërhyrë me masa

Na pret një dimër shumë i vështirë, pohon Ministri i Ekonomisë në Maqedoninë e Veriut, Kreshnik Bekteshi, duke paralajmëruar se në gusht do të kërkohet të shpallet gjendje krize në sektorin e energjisë që të mund të ndërhyhet me masa. Kufizime të rrymës nuk priten!

“A presim restrikcione?! Nëse gjithçka shkon sipas planit dhe në rast se nuk ka ndalesë të importimit të energjisë elektrike, kemi pasur shembull të tillë nga ana e Bullgarisë, e cila në periudha të caktuara, e ka ndalur importin e rrymës, atëherë nuk besoj se do të kishte restrikcione në shtetin tonë, por do të kemi dimrin më të vështirë, situata është aq serioze, e paparashikueshme që nuk varet vetëm nga RMV dhe shtetet e rajonit por edhe se si do të rrjedhë lufta në Ukrainë”.- deklaroi Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

Në rast të ndalesës së plotë të gazit natyror, Bekteshi tha se po bëhen përpjekje për zgjidhje alternative me të cilat do të punojnë edhe ngrohtoret dhe kapacitetet energjetike, që industria dhe amvisëritë të mos mbeten pa rrymë.

“Në pjesën e alternativave në ligj parashihet të ketë energjenc tjetër përveç gazit natyror, por duke e pasur parasysh teknologjinë që e kanë kapacitetet tona, ngrohtoret dhe elektranat, nëse duhet të ndërrohen, nga gazi natyror mund të kalojnë vetëm në mazut. Ky është realiteti vë vendin tonë”.- tha Kreshnik Bekteshi./alsat