Raportimet për dhunë policore ndaj dy të rinjve shqiptarë nga Komuna e Sarajit kanë nxitur reagimin e kryetarit të saj, Muhamet Elmazi. Ai ka dënuar përdorimin e dhunës dhe çdo tejkalim të kompetencave nga zyrtarët, duke shprehur se bashkëndan plotësisht shqetësimin e familjarëve për ngjarjen.
Të lidhura
None found
Sipas Elmazit, roli i policisë është të mbrojë qytetarët dhe të përfaqësojë sigurinë, profesionalizmin e zbatimin e ligjit. Ai thekson se ajo nuk duhet të shkaktojë frikë ose pasiguri te të rinjtë.
Kryetari i Sarajit shpreh shpresën dhe besimin se institucionet përgjegjëse, Kontrolli i Brendshëm dhe prokuroria, do të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për sqarimin e plotë të rastit. Në reagimin e tij, Elmazi e cilëson llogaridhënien dhe respektimin e qytetarit si të vetmen garanci për një shoqëri të drejtë dhe të sigurt.
Ndërkohë, edhe BDI ka reaguar për dhunën ndaj dy të rinjve shqiptarë, duke kërkuar që të mbahet përgjegjësi për ngjarjen. Partia kërkon nisjen e menjëhershme të një hetimi të paanshëm dhe transparent, që të zbardhet plotësisht rasti dhe të ketë përgjegjësi për çdo shkelje të kryer nga zyrtarët policorë.
BDI thekson se heshtja dhe shmangia e përgjegjësisë nuk mund të pranohen. Krahas këtyre kërkesave, partia ka kërkuar edhe dorëheqjen e zëvendësministrit për punë të brendshme, Astrit Iseni. /Telegrafi/





